Kosova apo Shqipëria, cili shtet përfitoi më shumë nga Rruga e Kombit

Rruga e Kombit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë, është vënë në funksion afërsisht një dekadë më parë. Projekti infrastrukturor që vlerësohet më i madhi në historinë e dy shteteve, por edhe më i kontestuari politikisht po konsiderohet edhe tani si i rëndësishëm. Cili ishte ndikimi i kësaj rruge në bizneset dhe qytetarët, ish-kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka folur mbi efektet e kësaj rruge.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës dhe njohës i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, ka folur mbi efektet që ka pasur Rruga e Kombit për dy shtetet dhe bizneset. Në një deklaratë për “Monitor”, ai ka thënë se investimi në këtë projekt ka qenë i domosdoshëm, dhe sipas tij të gjitha kritikat që janë hedhur mbi këtë projekt vite më parë, kanë rënë poshtë.

Mirëpo, Gerxhaliu thotë se barrierat mes dy shteteve janë të madha, dhe sipas tij, ato po e pengojnë bashkëpunimin mes bizneseve.

“Është e vërtetë që ka pasur kritika të shumta për investimet në infrastrukturë, por kur kemi të bëjmë me Rrugën e Kombit, ajo që lidh Kosovën me Shqipërinë duhet të analizohet në disa dimensione; është e rëndësisë së pakontestuar kombëtare, është e rëndësisë së pakontestuar në aspektin strategjik, por mbi të gjitha, ka edhe efektin e vet psikologjik sepse më në fund po funksionon një arterie që e bashkon Kosovën dhe Shqipërinë.

Pritshmëritë kanë qenë shumë më të mëdha, se do të ketë më shumë efekte në ekonomi, mirëpo edhe këto efekte duhet të ndahen në tri dimensione kohore: në aspektin afatshkurtër, afatmesëm, dhe afatgjatë”, ka thënë ai.

Ish-shefi i Odës Ekonomike shprehet se Rruga e Kombit ka rritur edhe numrin e turistëve për të dy shtetet.

“Besoj se në aspektin afatshkurtër, kontributi më i madh i kësaj rruge është se kemi fluks më të madh të vizitorëve qoftë nga Shqipëria në Kosovë apo anasjelltas, edhe pse në këtë drejtim, qytetarët e Kosovës janë duke avancuar, sepse vizitat janë më të shumta.

Mirëpo, në përgjithësi, besoj që është një investim që me kalimin e kohës do të dëshmojë se ka qenë vërtetë i qëlluar, dhe besoj se është koha që të kuptohet se projektet e tilla të mos analizohen dhe të mos marrin afekte politike, por më shumë të shihen nga ndikimi dhe efekti ekonomik dhe ai kombëtar”.

Gerxhaliu: Shqipëria ka përfituar më shumë

Por, po të vihet në peshore dhe të matet, se cili shtet ka përfituar nga kjo rrugë, Safet Gerxhaliu ka një përshtypje se Shqipëria del fituese.

“Besoj që përfitime shumë më të mëdha ka pasur Shqipëria, jo vetëm që kanë rritur numrin e turistëve nga Kosova, por e ka rritur edhe atraktivitetin që të jetë e vizituar edhe nga Serbia dhe shtete të tjera të Europës Qendrore. Mirëpo, vetë fakti se jemi dy shtete dhe një popull i ndarë, besoj që një arterie e tillë është më se e nevojshme. Me kalimin e kohës do të kuptohet se ekonomia e Kosovës dhe e Shqipërisë nuk janë ekonomi konkurruese, janë ekonomi komplementare, por këtë duhet ta kuptojnë në rend të parë politikëbërësit e të dyja shteteve, dhe sigurisht që një ujdi e tyre do të jetë hapja e një perspektive të re për të bashkëpunuar dhe për të avancuar bashkëpunimin ekonomik.

Duhet të kuptohet se në këtë drejtim, sektori privat apo komuniteti i biznesit nga Kosova ka bërë hapa shumë më pozitivë, mirëpo që të jemi atraktivë dhe bashkëpunues duhet të largohen barrierat. Deri më tani, edhe pse janë bërë investime me miliarda euro në infrastrukturë, ekzistojnë barrierat që e pengojnë zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve.

Safet Gerxhaliu, njohës i ekonomisë, ka treguar se cilat, sipas tij, janë barrierat më të mëdha mes dy shteteve.

“Janë tri probleme që i kemi adresuar si pengesa lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë. E para është barriera që paraqitet në kufi, nëse sot kalojmë andej do të habitemi me numrin e inspektorëve dhe kontrolleve që na presin. E dyta është ajo rampa e turpit, që vetëm qytetarët e Kosovës duhet të paguajnë nga 5 euro për vetura dhe më tepër për maune. E treta është, nëse mendohet të shfrytëzohet Porti i Durrësit, dhe vetë fakti që e paguan një skaner pa shfrytëzuar, është vërtet diçka e papranueshme.

Prandaj nëse nuk avancohet dialogu mes dy shteteve dhe mbledhjet e qeverive të kenë pragmatizëm dhe jo vetëm marketing dhe fotografi nuk do të eliminohen barrierat për ta shfrytëzuar Portin e Durrësit, atëherë ne vetëm po flasim për bashkëpunim, por bashkëpunimi do të jetë dëshirë e parealizuar. Kur dy veta luftojnë, i treti fiton dhe kam frikë se këtë gafë të bashkëpunimit është duke e shfrytëzuar Serbia dhe disa vende të tjera me agresivitet të paparë”.

Shahini: Shkëmbimi tregtar, më i larti në histori

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka treguar në një bisedë për “Monitor” rëndësinë e Rrugës së Kombit dhe barrierat që po i pengojnë bizneset të jenë më bashkëpunues.

Ai ka thënë se Kosova e Shqipëria, falë autostradës kanë shkëmbimin më të lartë tregtar në histori.

“Aleanca Kosovare e Biznesit e vlerëson se efekti i Rrugës së Kombit, është efekt shumë më i madh se sa ai që ishte pritur, dhe falë ndërtimit të kësaj autostrade, sot Kosova dhe Shqipëria kanë nivelin më të lartë të shkëmbit tregtar në histori, që nga themelimi i këtyre dy shteteve. Kjo na bën ne krenarë, pasi Shqipëria për herë të parë e ka lënë prapa Serbinë me eksportet në Kosovë. Por, jo vetëm kjo, pasi Rruga e Kombit ka rritur edhe konsumin e produkteve nga të dy shtetet dhe qytetarët e dy vendeve”.

Për kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, përfituesit më të mëdhenj nga autostrada që lidh Kosovën dhe Shqipërinë janë shqiptarët.

“Nëse bëhet një bilanc se cilët janë përfituesit e Rrugës së Kombit, ne vlerësojmë se janë shqiptarët në të dy anët, dhe kjo është gjëja më e mirë që ka ndodhur pas luftës dhe këndej. Po, ashtu nëse vërejmë se çfarë efekti ka pasur kjo rrugë pos ekonomisë, ka pasur ndikim të madh në shthurjen e shumë projekteve rajonale për të fuqizuar shtetet e tjera në ekonomi. Prandaj orientimi i tërë Ballkanit për të qarkulluar nga Rruga e Kombit është përfitimi më i madh që ka ndodhur në këto dekadat e fundit”.

Cilat janë barrierat më të mëdha që ekzistojnë mes dy shteteve në autostradën Prishtinë-Durrës sipas Agim Shaninit.

“Në aspektin popullor dhe në aspektin kombëtar, rampa dhe pagesa që duhet të bëhet është e dëmshme dhe konsiderohet barrierë. Por, në aspektin komercial, ajo duhet të ekzistojë për shkak të mirëmbajtës së rrugës, e cila është detyrimisht rrugë që duhet të mirëmbahet. Mirëpo, ne besojmë që tarifa është e lartë dhe për këtë, dy shtetet duhet të gjejnë një mënyrë tjetër që kjo tarifë të ulet dhe rruga të mirëmbahet edhe nga financat e shtetit”, ka thënë ai.

Shahini ka pohuar se kjo rrugë i ka hapur mundësitë e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe bizneseve, por sipas tij nuk lidhet gjithçka me këtë rrugë. Ai thotë se drejtuesit e dy shteteve duhet të bëjnë punë më konkrete për largimin e barrierave dhe të punohet në forcimin e shkëmbimeve tregtare dhe zhvillimit ekonomik.

Autostrada, që mban emrin e presidentit të ndjerë të Republikës së Kosovës, ibrahim Rugova, filloi të ndërtohet më 12 prill të vitit 2010. Në nëntorin e vitit 2011, u patën hapur për qarkullim fillimisht 38 kilometrat e para, deri në fshatin Sllapuzhan të Therandës, ndërsa më në korrik të vitit 2012, edhe 4 kilometra të tjera nga Sllapuzhani në Duhël.

Segmenti i pestë, nga Duhla në rrugën nacionale Prishtinë- Pejë u hap për qarkullim më 27 nëntor 2012, në kuadër të festimeve për 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Autostrada që lidh Kosovën me Shqipërinë, e quajtur “Ibrahim Rugova”, ka kushtuar mbi 700 milionë euro. Që nga paslufta e deri në vitin 2020, janë bërë investime kapitale në ndërtimin e rrugëve në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vend janë 137 kilometra autostradë.