Qeveria e Kosovës

Korrupsioni çështje shqetësuese, Nagip Krasniqi e skandali me rezervat shtetërore kryefjalë në raportin e Freedom House

Kosova sipas raportit të Freedom House për vitin 2023 qëndron keq sa i përket nivelit të korrupsionit dhe luftimit të kësaj dukurie. Nga 7.00 sa është vlerësimi më i lartë, Kosova ka vetëm 2,25 pikë.

Në këtë raport theksohet se korrupsioni vazhdon të mbetet një çështje shqetësuese serioze në Kosovë, dhe sipas raportit të BE-së për vitin 2023, rezultatet e Qeverisë së Kosovës në luftimin e korrupsionit janë të kufizuara.

FH thekson se Kurti kishte kandiduar për kryeministër me premtimin për luftën kundër korrupsionit dhe me prioritet krijimin e një komisioni për hartimin e një strategjie, megjithatë Freedom House shton se edhe përkundër që strategjia është hartuar, procesi është ndërprerë për shkak të dallimeve të brendshme të grupit punues, për të cilat Kurti ka akuzuar opozitën se po ia bllokon procesin.

Freedom House përmend rastin e arrestimit të drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe përfshirjes në konflikt interesi. Gjithashtu rikujton faktin që Krasniqi ishte zgjedhur në pozitën e drejtorit të KEK-ut në tetor 2021 pa një proces konkurrues të punësimit, nga një bord i cili ishte emëruar përkohësisht gjatë mandatit të parë të Kurtit si kryeministër.

 “Anëtarët e Vetëvendosjes pretendojnë se arrestimi i Krasniqit është hakmarrje ndaj partisë në pushtet nga kryeprokurori i shtetit. Isufaj, emërimi i të cilit për kryeprokuror të përhershëm të shtetit nuk u përkrah nga presidenti Osmani, dhe i cili ka pasur mosmarrëveshje edhe me Kurtin dhe me Konjufcën, kryetar i Kuvendit”, thuhet në raport.

FH shkruan edhe shkarkimin e shefit të Njësisë së Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës, Shemsi Haziri, i cili kishte qenë duke udhëhequr hetimet kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe kundër Nagip Krasniqit, të dy këta zyrtarë të lidhur me Vetëvendosjen.

“Ky vendim për shkarkimin e kreut të hetimeve të rëndësishme të korrupsionit u konsiderua shkak për shqetësim, duke dërguar një sinjal negativ në publik për angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin”, thuhet në raportin e Freedom House.

FH përmend edhe faktin që në muajin korrik, shteti ka kthyer 75 villa në pronësi të biznesmenëve dhe figurave të ndryshme publike të cilat ishin sekuestruar në të ashtuquajturin rasti Brezovica, pasi që prokurori Rasim Maloku kishte dështuar të përmbush afatin ligjor. FH thotë se kjo i ka dhënë fund një rasti që Qeveria Kurti kishte pretenduar se është veprimi më i rëndësishëm kundër korrupsionit.

“Mosrespektimi i afatit ligjor mbetet një nga pengesat më të mëdha për ndjekjen e suksesshme të rasteve gjyqësore në Kosovë”, shton FH.

Në këtë raport potencohet edhe skandali me rezervat shtetërore dhe refuzimin e deputetëve të Vetëvendosjes në pjesëmarrje në komisionin hetimor për këtë rast, duke thënë se rasti është nën hetim dhe se roli i një komisioni është i tepërt.

 “Në vitin 2023, numri i madh i rasteve të pazgjidhura të korrupsionit në prokurori mbetet një problem madhor. Gjatë periudhës janar-shtator, Prokuroria Speciale ka arritur të zgjidhë vetëm 731 raste të korrupsionit, ndërsa në të njëjtën periudhë ka pranuar 1,157 raste. Prokuroria Speciale ka ngritur 43 aktakuza kundër 75 personave në vitin 2023. Prej tyre, vetëm 13 nga të akuzuarit, ose 17.3 për qind, konsiderohen të profilit të lartë.”, përfundon raporti.

BONUS VIDEO