Koronavirusi, Qeveria mban ‘sekret’ karantinën! Thirrje udhëtarëve që vijnë nga Italia

Qeveria shqiptare së bashku me autoritetet shëndetësore vijojnë të mbajnë ‘sekret’ vendodhjen e karantinës, por nga ana tjetër premtojnë se i plotëson të gjitha kushtet për të ‘izoluar’ koronavirusin.

Këtë të enjte Eugena Tomini, eksperte e Institutit të Shëndetit Publik, është pyetur nga media në lidhje me vendodhjen e karantinës, në rast të përhapjes së koronavirusit në Shqipëri. Tomini është përgjigjur duke thënë se nuk është brenda qendrës shëndetësore ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, por se nga ana tjetër i garanton të gjitha kushtet.

Tomini: Karantina nuk është brenda QSUT, por ju garantoj se plotëson të gjitha kushtet.

Zyrtarja më tutje bëri një panoramë të situatës si dhe i bëri thirrje udhëtarëve që vijnë dhe shkojnë nga Italia, që të vetëkarantinohen në banesa për 14 ditë.

Tomini: Nga periudha e shfaqjes e epidemisë në Kinë në janar dhe deri mbrëmjen e djeshme janë testuar 17 raste, që kanë dalë negativ. 8 raste kanë pasur histori udhëtimi me Kinën dhe 9 me Italinë. Nga të gjitha pikat kufitare, në  24 orët e fundit janë vlerësuar 3500 udhëtarë që kanë pasur histori udhëtimi në vendet me transmetim të shpërtimit komunitar.

Aktualisht në aeroportin e Rinasit po kryhet monitorimi i temperaturës për të gjithë udhëtarët që udhëtojnë në linjat me aeroportin e Shqipërisë. Rekomandojmë udhëtarët që kanë udhëtuar në zonat e prekura dhe që kanë pasur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar me koronavirus të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore. Të telefojnë në 127 për të marrë udhëzimet e duhura.