Koronavirusi, Qeveria e Hungarisë merr fuqi ‘të jashtëzakonshme’

Kuvendi i Hungarisë me shumicë të votave ka pranuar kërkesën e qeverisë për pushtetin që të qeverisë me dekret gjatë emergjencës së koronavirusit.

Ky ligj nuk ka ndonjë afat kohor.

Kryeministri Viktor Orban ka premtuar se do t’i përdorë fuqitë e jashtëzakonshme që i janë dhënë” në mënyrë proporcionale dhe racionale”.

Udhëheqësi i partisë opozitare Jobbik, Peter Jakab, ka thënë se ky ligj e ka vendosur gjithë demokracinë e Hungarisë në karantinë, transmeton Klan Kosova.

Votimi i së hënës ishte shumë i diskutueshëm – më shumë se 100,000 njerëz e kishin nënshkruar peticionin kundër një lëvizjeje të tillë.

Por, partia e kryeministrit Orban e ka një shumicë të fuqishme.

Fuqitë e veçanta nuk kanë një afat kohor, derisa kritikët thonë se gazetarët e pavarur mund të përfundojnë në burg.

Sipas një sondazhi të realizuar prej agjencisë pro-qeveritare Nezopont, 90 % e popullit duan që masat aktuale emergjente të zgjaten, derisa 72 % pajtohen që Kodi Penal duhet të forcohet.