Koronavirusi nuk ndal udhëtimin nga Italia, dy fluturime të planifikuara nga Verona në Prishtinë

Pas përhapjes së koronavirusit  në Itali edhe Kosova ka ndërmarrë të gjitha masat mbrojtëse ndaj këtij virusi.

Klinika Infektive ka dërguar ekipe mjekësore në pika kufitare dhe në Aeroportin e Prishtinës, ekipe këto që janë në shërbim 24 orë për identifikimin dhe kontrollimin e udhëtarëve për këtë virus.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, tashmë është mobilizuar me ekipe mjekësore për identifikimin dhe kontrollimin e udhëtarëve pas shpërthimit të koronavirusit në Itali.

Menaxherja e zyrës për marrëdhënie me publikun në Aeroportin “Adem Jashari”, Valentina Gara tha për lajmi.net se nga Verona ka dy herë në javë fluturime.

“Kemi dy fluturime në javë nga Verona, të enjteve dhe të dielave”, tha Gara.

Tutje Gara ka thënë se udhëtarët që vijnë nga Verona do t’ju nënshtrohen disa pyetjeve nga policia kufitare, duke shtuar se në rast se ka ndonjë të dyshuar do të ketë edhe kontrolle nga mjekët.

“Udhëtarët do t’ju nënshtrohen disa pyetjeve nga policia kufitare dhe do të kemi mjek dhe motër medicinale në rast të ndonjë rasti të dyshuar” ka thënë Gara.