Koronavirusi mund të mbijetojë në temperatura të larta për një kohë të gjatë

Sipas një studimi, koronavirusi mund të mbijetojë në temperaturë deri në 60 gradë për periudha relativisht të gjata kohore.

Gjetjet e këtij studimi sugjerojnë se masat standarde që përdoren për dezinfektim në laboratoret hulumtuese – ngrohje në këtë temperaturë për një orë – janë joefektive kundër Covid-19.

Në vend të kësaj, për ta vrarë virusin, hulumtuesit thonë se laboratoret duhet të ngrohen në temperaturë prej 92 gradëve për një çerek ore.

Ky studim u krye nga hulumtuesit e Universitetit të Aix-Marseille-s në Francën Jugore.

Gjatë testimit, shkencëtarët i përdorën qelizat e veshkës së një majmuni afrikan, i cili për qëllime studimi ishte infektuar me koronavirus nga virusi i izoluar i një pacienti në Berlin.

Ndonëse virusi u shkatërrua në temperaturë 60 gradë në mjedis të pastër, ai arriti të mbijetonte në mjedise më të ndotura. Në rastin e laboratoreve, kjo nënkupton që virusi mund të paraqesë rrezik për stafin, nëse përdoret procedura standarde e dezinfektimit.

Protokolli për ngrohjen e laboratoreve në 60 gradë për një orë është protokoll standard në shumë laboratore ku punohet për hulumtime të viruseve vdekjeprurëse, përfshirë Ebolën.