Koronavirusi mbledh institucionet e vendit, thonë se rreziku është i ulët

Ministri në Detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka thirrur sot në takim krerët e institucioneve shëndetësore për të diskutuar lidhur me korona virusin.

Në komunikatën e lëshuar për media shkruhet se Ministria e Shëndetësisë është duke e përcjellë me vëmendje zhvillimet në botë në lidhje me pneumoninë virale coronavirus.

Lidhur me këtë çështje, Ministri në detyrë  i shëndetësisë Uran Ismaili, ka thirrur sot në takim krerët e institucioneve relevante shëndetësore në Kosovë.

Gjatë këtij takimi ministri Ismaili ka kërkuar nga të pranishmit informata rreth situatës së coronavirusit si dhe kërkoi nga  të gjithë mekanizmat shtetëror e institucional, që të jenë në gatishmëri në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.

Drejtori Ekzekutiv i IKSHPK-së, Prof. Dr. Naser Ramadani, ka konfirmuar se në Kosovë nuk ka asnjë rast me coronavirus dhe se rrezikshmëria për këtë virus në  vendin tonë  është e ulët.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, konfirmoi se si institucion janë të gatshëm për menaxhimin e rateve evantuale dhe përcjelljen e situatës epidemiologjike.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindira Ajazaj-Berisha, ka thënë se tashmë ka bërë përgatitjet e nevojshme sa i përket repartit të izolimit në rast të paraqitjes të ndonjë rasti që do të ketë nevojë për masa izolimi.

Gjatë kësaj jave ministri Ismaili do të ftoj edhe Komitetin Nacional për sëmundje ngjitëse për të diskutuar situatën dhe nivelin e gatishmërisë.

“Institucionet shëndetësore në Kosovë sigurojnë të gjithë qytetarët se janë duke marrë të gjitha masat adekuate, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, shkruhet në komunikatë.