Koreja e Veriut lëshon raketë balistike mbi Japoni, lëshohet alarmi i rrallë

Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë të dyshimtë mbi Japoni, e cila duket se është një përshkallëzim i qëllimshëm për të tërhequr vëmendjen e Tokios dhe Washingtonit.

Raketa balistike udhëtoi rreth 4,500 km përpara se të binte në Oqeanin Paqësor – aq larg sa për të goditur ishullin amerikan të Guam në rast se do të merrte një trajektore tjetër.

Lëshimi i raketës nga Koreja e Veriut bëhet për herë të parë që nga viti 2017.

Hedhja e kësaj rakete bëri që Japonia të lëshojë një alarm të rrallë për disa qytetarë që të mbulohen.

OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut të testojë armë balistike dhe bërthamore. Fluturimi i raketave drejt ose mbi vende të tjera pa ndonjë paralajmërim ose konsultim paraprak është gjithashtu në kundërshtim me normat ndërkombëtare.

Shumica e vendeve e shmangin atë plotësisht pasi mund të ngatërrohet lehtësisht si një sulm. Edhe pse nuk ishte aq e madhe sa një test bërthamor – i cili mund të jetë i radhës – mund të konsiderohet jashtëzakonisht provokuese.

Njerëzit në veri të Japonisë, duke përfshirë ishullin Hokkaido, thuhet se u zgjuan nga zhurma e sirenave dhe sinjalizimeve me tekst që shkruanin: “Koreja e Veriut duket se ka lëshuar një raketë. Ju lutemi evakuoni në ndërtesa ose nëntokë”.

Ndërsa raketa fluturoi lart, ata u paralajmëruan të kenë kujdes edhe për mbetjet që mund të binin.

Zyrtarët më vonë thanë se raketa balistike me rreze të mesme veprimi ra në Oqeanin Paqësor larg Japonisë dhe nuk raportohet për të lënduar.