Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë me dinamikë të shtuar punon në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, por nuk potencojnë se kur saktë do të përfundohet dhe do të dërgohet në Budapest. Që andej thonë se për shkak të ndjeshmërisë së materialeve, tani për tani nuk mund të japin më shumë informata, raporton MIA.

Nga Ministria theksojnë se ka bazë juridike që Maqedonia të kërkojë ekstradimin nga Hungaria për Gruevskin, ndërsa kjo është Konventa Evropiane për ekstradim dhe Ligji për bashkëpunim ndërkombëtar në çështjet penale.

Gruevski, pas arratisjes e cila ndodhi prej se duhej të paraqitet në vuajtjen e dënimit me burg prej dy vitesh për keqpërdorim të pozitës gjatë blerjes së “mercedesit” luksoz qeveritar me çmim prej rreth 600.000 eurove, kërkoi azil politik në Hungari.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ishin hapur dy hetime. Me to duhet të konfirmohet se si ka ikur Gruevski dhe a i ka ndihmuar dikush nga policia, pas së cilës pritet MPB të dalë me detaje.

Deri tani, MPB-ja e Maqedonisë dhe Prokuroria nuk kanë dalë me informata zyrtare për arratisjen dhe lëvizjen e Gruevskit dhe për atë se ku janë lëshimet në tërë rastin.

Ajo që deri tani dihet për rutën nëpër të cilën ka qarkulluar Gruevski, ndërsa për çka konfirmim arriti nga policia shqiptare, është se ai ka qenë në territorin shqiptar dhe prej atje përmes vendkalimit Han Hoti është nisur drejt Malit të Zi. Zëdhënësi i policisë shqiptare për ATF deklaroi se Gruevski në Shqipëri pa dyshim ka hyrë në këmbë, sepse hyrja e tij nuk është regjistruar në asnjë vendkalim kufitar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Nga Shqipëria ka hyrë në Mal të Zi prej ku, sipas mediave serbe dhe malazeze të cilat referohen në burime diplomatike, ka hyrë në Serbi përmes vendkalimit kufitar Dobrakovo, ndërsa prej atje ka shkuar në Hungari.

Një pjesë e mediave vendore dje e transmetuan edhe informatën e “Fokus”-it bullgar se Gruevski e ka braktisur Hungarinë dhe ka shkuar për në Turqi ose Rusi. Por, nga MPB-ja e Maqedonisë, thonë se sipas informatave zyrtare që i kanë, Gruevski edhe më tutje është në Hungari ku pret azil politik.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtar në çështjen penale në dhjetor të vitit 2013 si risi është vendosur procedurë e shkurtuar për ekstradim, e cila i jep mundësi personit të kërkuar të pajtohet për t’u dorëzuar në organet gjyqësore të vendit të tij, pa u zbatuar procedurë formale për ekstradim. Në këtë procedurë afatet për ndërmarrje janë shumë të shkurtëra dhe afati e përcakton shtetin në të cilin personi është arrestuar.

Nga praktika e deritanishme afati për ndërmarrje gjatë procedurës së shkurtuar lëviz prej një deri 2 muaj, por ka edhe raste kur mundet procedura e shkurtuar të realizohet edhe në afat më të shkurtër prej 30 ditësh.