Telekomi

Kontrata e Valës me Digitalb përcillet me shumë reagime, Mushkolaj përplaset me Halil Thaçin e VV-së

Një kontratë e nënshkruar nga ndërmarrja Vala me Digitalb për të drejtën e disa kanaleve, ka shkaktuar shumë reagime në Kosovë.

Eksponentë të pushtetit kanë marrë merita për ringjalljen e ndërmarrjeve publike, kurse analistë e përfaqësues të shoqërisë civile e mediave, kanë kritikuar lëvdatat e pushtetit.

Valon Syla ka shkruar se ‘shefat e VV-së në Telekom, i kanë mëshu pares dikund’.

“Paska nënshku telekomi kosovar me digitalbin. Disa socal media socialista e patriot, qenkan ekzaltu prej gëzimit… por spe kuptojnë se shefat e VV’së të telekomit, me gjasë që i paskan mshu pares bashke dikun me ata të Shqipërisë, që spotet me bashkim kombëtar në digitalb i bojnë për parulla, që me shitë resivera e pako te veta për shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e diasporë, ku per mbi 20 milionë fitim në vjet i marrin…”, ka shkruar Syla.

“Ndërsa keta socialistat tonë pamfletista, sa lehtë blejnë miliona me pare të shtetit, blejnë sene e marrëveshje që milionerat kosovarë me bizneset e tyre private mendohen ka dy e ma shumë here e nuk i blejnë se janë jashtë vlerës reale të tregut. Do ta hulumtojmë mirë këtë marrëveshje, me’i pa patriotat në Telekom ma qartë. Shpresoj se tash nuk mshefen, po fryhen me këtë arritje. Se Telekomi është i Kosovës… për me mjelë”, ka thënë analisti Syla.

Një reagim e ka pasur edhe analisti Ilir Mirena. Ai ka thënë se do të ishte më mirë që Telekomi ta ndërtojë një platformë të veten, e jo të ketë gëzim që ka marrë të drejtën e disa kanaleve nga Digitbal.

“Mire eshte nese Telekomi i Kosoves do te bahet ndonjehere ndermarrje rentabile. Personalisht nuk besoje. Nuk besoje ne pronen shoqerore. Eshte deshmu gjithandej qe nuk funksionon kjo menyre sovjetike e ekonomise. Me kan mar e mire, Telekomi e kish ndertu vet nje platforme, e jo me u gzu kaq shume qe e ka ble pakon e Digitalbit, produkt i nje kompanie private. Digitalb n’pazar eshte. Kush paguan e merr. Perndryshe edhe kabllori nga Malisheva, ISP Broadcast, i ka pas mundesit dhe ka nenshkru kontrat me Digitalbin. Dhe ate, per disa vjet. Tash, rendi e do, Telekomi me na tregu vleren dhe kushtet e kontrates me Digitalbin…”, ka shkruar Mirena.

Nuk ka arsye për festë ka thënë edhe Berat Rukiq inga LDK-ja.

“Kontratë komerciale 1.3 milionë euro, pra jo gratis. Pse duhet të festohet një kontratë kaq e shtrenjtë? Pyetja bazë që i duhet përgjigje? Cilat pare do të përdoren për këtë kontratë: kredia e qeverisë, mjetet vetanake të telekomit apo ndonjë subvencion i qeverisë. Në secilin variant, nuk ka as transparencë e as arsye për festë”, ka shkruar ai.

Ka reaguar edhe analisti Imer Mushkolaj.

“Çfarë ekzaltimi për platformën e Digitalbit në Telekomin e Kosovës – veçanërisht nga eksponentë të pushtetit. Çfarë suksesi i qeverisë🤦‍♂️ Në vend që të kishte platformë t’fortë t’veten, tash Telekomi do të nënshkruajë kontratë dyvjeçare në vlerë 1.3 milion euro me Digitalbin. Biznis hesapi. Sen tjetër”, ka shkruar ai.

Mushkolajt i reagoi ashpër deputeti i VV-së, Halil Thaçi.

“Analisti multitasking. I gjithanshëm. I kudo ndodhur. Për çdo temë. Në çdo kohë. Nganjëherë edhe në të njejtën kohë”, shkroi deputeti i pushtetit.

“Halil, ma mirë kqyr punësoje naj kushëri n’KEK, se politika është sport i randë për ty”, ia ktheu Mushkolaj.

Çfarë përmban kontrata e Valës me Digitalb?

Telekomi i Kosovës ka njoftuar të martën se ka nënshkruar kontratë me platformën shqiptare DigitAlb për e transmetimit të kanaleve të saj për gjatë dy viteve të ardhshme.

Edhe pse Telekomi i Kosovës nuk ka njoftuar për çmimin e kontratës, por ajo është nënshkruar për 1.3 milionë euro.

Sipas njoftimit të Telekomit, përmes kësaj pako, klientëve e Telekomit do t’ju ofrohet qasje në kanalet televizive dhe në në ligat kryesore të futbollit evropian.

Kësisoj, abonuesve të Telekomit të Kosovës do t’u ofrohen kanalet dhe përmbajtja më e kërkuar televizive në hapësirat shqipfolëse. Këtu përfshihen: Top Channel, Klan Shqipëria, Klan Maqedonia, ligat më të njohura të futbollit evropian, filma të zhanreve më të shikuara, seriale me karaktere mbresëlënëse, programe edukative, dokumentarë magjepsës, BBVA3 që vjen në ekranet kosovare ekskluzivisht nëpërmjet TV Vala dhe shumë e shumë kanale të tjera të platformës DigitAlb, krahas atyre të Tring.

Nga kanalet sportive, pakot e reja të Telekomit të Kosovës përfshijnë edhe kanale sportive me lojërat e ligave më të njohura botërore, që ju mbajnë në teh të kolltukut, si: Liga Angleze “Premier League”, Liga Gjermane “Bundesliga”, Liga Italiane “Serie A”, Liga Holandeze “Eredivisie”, përfaqësuesja e Kosovës, FA Cup, kupat e Spanjës, FFF Coupe de France, kupa e Holandës, si dhe shumë evente të tjera sportive.” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre në Facebook.

Sipas njoftimit të publikuar në “e-prokurimi”, kontrata është shpallur përsm prodedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Në këtë kontratë thuhet se kohëzgjatja e kësaj kontrate do të jetë 2-vjeçare dhe se pagesa do të bëhet në bazë të dakordimit me çmimin abonent.

Vlera totale e vleresuar e kontrates eshte 1,300,000.00 Euro per nje periudhe te dy vjecare, ndersa pagesa do behet ne baze te dakordimit me cmimin per njesi per abonent.” – thuhet aty.

Ndërkaq, në Dosjen e Tenderit të cilën e ka parë Nacionale, Telekomi ka përzgjedhur kanalet gjatë fazës së negociatave, e në këtë rast aty thuhet se do të mirren për bazë edhe kërkesat e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Gjithashtu, në dosje theksohet se kanalet e filmave duhet të jenë të titurar në gjuhën shqipe ose të sinkronizuara.

Kanalet e filmave duhet të jenë të titruara në shqip ose mundësisht të sinkronizuara në gjuhën shqipe dhe të ketë mundësi që të bëhet zgjedhja e gjuhës origjinal apo e sinkronizuar në gjuhën shqipe. Të frohen edhe kanale ndërkombëtare dhe premium sipas mundësive që ka Digitalb.” – thuhet në dosje.

Në draft-kontratën mes Telekomit dhe DigitAlbit, theksohet se nëse zëvendësohet një kanal me një kanal tjetër, atëherë kontrata parasheh që të lejohet zbatimi i reduktimit me 3% të çmimit për abonent.