Ambasada Britanike në Kosovë në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, kanë mbajtur një konferencë për t’i paraqitur rezultatet paraprake të hulumtimit mbi traumat transgjeneruese në Kosovë.
Në këtë konferencë e pranishme ishte edhe Kontesha Sophie e Ueseksit, e cila tha se dhimbja dhe pasojat e dhunës seksuale nuk pakësohen me kohën.

“Duhet të pranojmë që dhimbja dhe pasojat e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin nuk pakësohen me kohën.
Vitet nuk do të thonë asgjë, dhe në fakt nëse Çështjet dhe nevojat e të mbijetuarve nuk adresohen në mënyrë adekuate dhe sa më parë, në shumë raste dhimbja dhe pasojat mund të rriten.”-tha Kontesha Sophie.
Hulumtimi i paraqitur në konferencën e sotme shqyrton ndikimin e traumës transgjeneruese te fëmijët e të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin (CRSV).
Me përdorimin e analizës së avancuar biokimike, hulumtimi synon t’i mundësojë personelit mjekësor t’i kontrollojë grupet me rrezik të lartë dhe të ofrojë ndërhyrje të synuara.







