Kontejneri në Prishtinë mbushet me mbetje shtazore, kërkohen masa nga komuna

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, gjatë ditës së shtunë ka publikuar disa pamje ku shihet një kontejner në Prishtinë që është mbushur me mbetje shtazore (eshtra).

Kompania përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka treguar se janë të shqetësuar me këtë dukuri e cila sipas tyre po bëhet vazhdimisht duke ua vështirësuar punën e përditshme në terren.

“Pamjet e mëposhtme tregojnë për kontejnerët e destinuar për mbeturina që janë mbushur me mbetje shtazore (eshtra) me ç’rast po vjen deri te dëmtimi i mekanizmit të kamionëve tanë”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, ka kërkuar nga Inspeksionin e Komunës së Prishtinës që të marrë masa, pasi siç kanë thënë, këto raste sa vijnë e shtohen.

“Së bashku për një ambient më të pastër”.