Konsulli i emëruar jashtëligjshëm nga Donika Gëvalla kalon me “pesëshe” në MPJD

Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë vlerësimin e punës së ambasadorëve. Siç merr vesh Demokracia.com, vlerësim më të mirë kanë marrë ambasadorët politikë. Më dobët, MPJD i ka vlerësuar diplomatët e karrierës, ankesat e të cilëve do t’i publikojmë ditëve të ardhshme.

Demokracia.com ka siguruar vlerësimet e ambasadorëve politikë dhe të karrierës që janë bërë nga MPJD.

Donika Gërvalla e ka vlerësuar me notë maksimale njërin prej të preferuarve të saj, Lulzim Hisenin, i cili është Konsull i Përgjithshëm në Strasburg dhe i graduar në mënyrë të dyshimtë.

Demokracia.com ka raportuar se Lulzim Hiseni, që ka gradën gardën Ministër Këshilltar, ishte ngritur për dy grada në të njëjtën kohë në mënyrë të kundërligjshme, pa kaluar në Komisionin për Grada dhe Disiplinë nga Sekretari i Parë në Ministër Këshilltar.

Lulzim Hiseni është vlerësuar me notën pesë për realizimin e takimeve të vazhdueshme me Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve anëtare dhe vëzhguese në Këshillin e Evropës, me qëllim të krijimit dhe mirëmbajtjes së marrëdhënieve diplomatike.

Po ashtu, me notë pesë është vlerësuar edhe për takimet koordinuese me Presidencën e Komitetit të Ministrave.

Vlerësim maksimal, Hiseni ka marrë edhe për takimet e vazhdueshme me Byronë e Komitetit të Ministrave, shkruan Demokracia.com.

Konsulli që u ngrit për dy grada jashtëligjshëm mori pesë edhe për përcjelljen dhe raportimin për takimet e Komitetit të Ministrave, me theks të veçantë kur diskutohej për Kosovën.

Ai ka marrë pesë edhe për disa aktivitete të tjera, si: Rekomandimi për kohën e realizimit të vizitave të nivelit të lartë shtetëror në funksion të avancimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KiE; organizimi i vizitave, përgatitja e agjendës dhe pikave të diskutimit; organizmin e një vizite në Kosovë për një grup ambasadorësh të shteteve anëtare të KiE-së.

Për angazhimet në Parlamentin e Këshillit të Evropës, Hiseni gjithashtu është vlerësuar me notën 5.

Mes aktiviteteve ka qenë organizimi i vizitës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës në Strasburg gjatë sesionit dimëror të APK-së, aranzhimi i takimeve me autoritetet e larta të AKS-së, grupet politike, udhëheqës komitetesh dhe delegacione nacionale. Po ashtu, aktivitet tjetër ka qenë edhe organizimi i katër vizitave të rregullta të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE, gjatë sesionit të janarit, prillit, qershorit dhe tetorit.

Hiseni nuk ka marrë vlerësimin më të mirë për aktivitetet rreth Bankës për Zhvillim në Këshillin e Evropës.

Ai është vlerësuar me katër për pjesëmarrjen në takimet e rregullta të Bankës CEB, pjesëmarrjen në takimet e tjera koordinuese me kërkesë të Guvernatorit të Bankës.