Anke Konrad

Konrad: BE-ja ka mekanizma presioni, por Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje

Ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konrad, ka potencuar se Bashkimi Evropian ka mekanizma presioni ndaj palëve në dialog, por se roli i tij është ndërmjetësimi i procesit.

“BE-ja është ndërmjetësuese në dialog dhe sigurisht që mund të ushtrojë presion, të kërkojë apo të përpiqet të bindë të dyja palët që të përfundojnë procesin e dialogut, por roli i BE-së është vetëm të ndërmjetësojë mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka potencuar ajo në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online.

Në vlerësimin e saj progresi deri tanishëm në mes të Kosovës dhe Serbisë në raport me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit nuk është bindës.

“Duhet të gjenden disa mënyra për të zhbllokuar disa pyetje dhe për të vazhduar përpara. Presim që të dy liderët të jenë gati për dialog, sepse vetëm me dialog mund të zgjidhen mosmarrëveshjet”.

Ndryshe në njëvjetorin e arritjes së dakordimit në mes të Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se as Kosova e as Serbia nuk mund të përparojnë në rrugën e tyre drejtë Unionit, nëse nuk bëjnë përparime në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“BE shpreh keqardhje për progresin e kufizuar deri më tani në zbatimin e Marrëveshjes, e cila mund t’i atribuohet plotësisht dy palëve”, ka thënë Stano në përgjigje të Radios Evropa e Lirë.

Më 27 shkurt 2023, Kosova dhe Serbia pranuan Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve bazuar në propozimin fillestar të BE-së e cila njihej ndryshe si plani franko-gjerman.

Më pas, më 18 mars 2023, të dy palët ranë dakord për planin e zbatimin.

Në ndërkohë, dialogu është i paralizuar.

VIDEO BONUS: Kusari-Lila: Në Bruksel janë diskutuar transferet që vijnë si ndihmë nga Serbia, jo çështje tjera