Kryetari i Kuvendit

Konjufca vetë e kishte pranuar se kishte gjuajtur gaz lotsjellës në Kuvend, por çuditërisht sot u shpall i pafajshëm

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Vetë kryetari i Kuvendit e kishte pranuar që ka hedhur gaz lotsjellës dhe për këtë kishte ishte penduar, shkruan Ballkani.info.

Aktgjykimi ndaj Konjufcës u shpall të hënën nga gjykatësja Edita Çanta.

Në aktakuzë thuhet se në Kuvendin e Kosovës më 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Sipas gjykatëses Çanta, nuk është provuar se Konjufca ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Gjykatësja tha se asnjëri nga dëshmitarët nuk e ka inkriminuar Konjufcën.

Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi, është refuzuar akuza.

Shpallja e aktgjykimit u bë në mungesë të Konjufcës.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 23 shkurt 2024, gjatë fjalës përfundimtare, prokurori Besart Mustafa kërkoi që Konjufca të dënohet për veprën penale që i vihej në barrë, ndërsa mbrojtësja e Konjufcës, avokatja Arbnora Zeqiri kërkoi që ai të lirohej nga akuza.