Glauk Konjufca

Konjufca u bën thirrje institucioneve: Bëni çmos që ta kapni vrasësin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur i tronditur me vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së mbrëmjen e së mërkurës.

Ai ka thënë se në momente të tilla nuk ka fjalë që përshkruan mllefin dhe dhimbjen që secili e ndien.

“Sonte u tronditëm nga vrasja makabre e gruas 35 vjeçare, në oborrin e QKUK-së, që rezulton se ishte shtatzënë në ditët e fundit të pritjes për ta sjellë në jetë fëmijën e saj. Edhe një vrasje e një gruaje nga burri i saj brenda pak ditësh pasi një tjetër grua u vra me sëpatë nga burri i saj në shtëpinë e saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Konjufca ka shtuar se kur po shënohet fushata globale kundër dhunës me bazë gjinore në Kosovë, ngjarjet e tilla tregojnë “domosdoshmërinë për përkushtim dhe reagim institucional e shoqëror”.

“Gratë dhe vajzat nuk janë vetëm në këtë betejë”.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve të rendit të bëjnë çmos që ta kapin vrasësin. Kurse institucioneve të drejtësisë që t’ia japin dënimin e merituar.