Konjufca thotë se VV-ja ka dy plane përpara, shton se presidenti tregoi se është i gatshëm të shkelë Kushtetutën

Glauk Konjufca në “Desk” të KTV-së ka thënë se Vetëvendosje i ka dy plane përpara: luftimin e koronavirusit dhe zgjedhjet.

Ai gjithashtu ka theksuar se presidenti me deklaratat e tij sot ka treguar se është i gatshëm të shkelë Kushtetutën.

“Mendoj se duhet të ndjeken procedura e njëjtë si në kohën kur Vetëvendosje e mori pushtetin. Kushtetuta thotë se presidenti duhet t’i drejtohet fituesit të zgjedhjeve dhe të kërkojë që ta fitojë qeverinë, pra vendi nuk shkon automatikisht në zgjedhje. Presidenti ka dhënë shenja që i gatshëm me e shkelë kushtetutën që tha se po i thërras partitë politike, por sa të bën deklarata nuk është gabim por kur të merr vendim është. Nëse i kapërcen tre hapa, hapi i parë është me iu drejtuar VV-së”, u shpreh Konjufca.

Sipas tij presidenti nuk ka diskrecion për të anashkaluar fituesin e zgjedhjeve.

“VV-së i takon ta krijojë qeverinë e ardhshme. Presidenti nuk ka diskrecion, ai duhet t’i drejtohet Vetëvendosjes edhe njëherë, ose përndryshe e shkel Kushtetutën. Nëse VV-ja nuk mund ta krijojë qeverinë, pastaj fillon diskrecioni i presidentit, që është i diskutueshëm”, u shpreh ai.

Ai shtoi se është situatë krejtësisht ndryshe kjo tani, me atë të Haradinajt.

“Vendi i kryeministrit aktual nuk është thatë. Te Haradinaj kemi pasur dorëheqje dhe shpërbërje të Kuvendit, pra nuk është situata e njëjtë. T’iu kish referuar Haradinajt me herën e parë, ai e kish shkel Kushtetutën. Ky nuk është konsumim i dështimit të Vetëvendosjes për të krijuar Qeverinë. Situata tani është në zero, prandaj presidenti duhet t’i drejtohet VV-së”, ka thënë ai.

Ai thotë se zgjedhjet duhet të ndodhin që të qytetarët të vlerësojnë të gjithë.

“Për Vetëvendosjen janë dy plane përpara: e para është shëndeti i qytetarëve, derisa të kalojmë këtë pandemi, e dyta janë zgjedhjet, në mënyrë që qytetarët të mund të na vlerësojnë të gjithëve. Albin Kurti vlerësohet se si ka performuar si kryeministër, vlerësohet si e ka shkarkuar Veliun, e LDK-ja se ka hyrë në koalicion dhe e ka rrëzuar Qeverinë. Vetëvendosje dëshiron kalimin e situatës së koronavirusit. E pas kësaj menjëherë zgjedhje”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shtuar se ende qëndron që Vetëvendosje s’bën koalicion me PAN-in.

“Ato mundësi tash janë 100 për qind, e kjo është në diskrecionin e Vetëvendosjes. Ato mundësi janë duke filluar me LDK-në e me partitë e tjera. Në interes të Kosovës nuk ka qenë interes të bëhet koalicion me partitë e PAN-it dhe mendoj se ky qëndrim nuk ka ndryshuar. Në këto kushte do të thosha se opsioni më i mirë është luftimi i suksesshëm i koronavirusit dhe zgjedhjet. Mirëpo, ne do të veprojmë sipas rrethanave”, u shpreh Konjufca. “Presidenti sot na ka treguar se ai është i gatshëm me e shkelë Kushtetutën. Ai sot ka thënë se do të thërrasë partitë politike”.