Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar të martën ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e shtetit bullgar ndaj Prishtinës.

“Duke e falënderuar për mbështetjen e shtetit bullgar ndaj Kosovës, kryetari Konjufca shprehu vlerësim për raportet shumë të mira mes dy vendeve, e në të njëjtën kohë potencoi nevojën për thellim të bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët”, kanë njoftuar nga kuvendi.

Nga ana tjetër, Gudjev e ka falënderuar Konjufcën për pritjen, derisa ka nënvizuar se Bullgaria do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen, duke përfshirë këtu edhe synimet e integrimit euroatlantik, si dhe shprehu gatishmërinë që përmes angazhimit të palëve të fuqizohen edhe më tutje marrëdhëniet mes dy vendeve.

Po ashtu, bëhet me dije se bashkëbiseduesit folën edhe për aktualitetin politik, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, “duke u pajtuar për nevojën e bashkërendimit në drejtim të frenimit dhe parandalimit të të gjitha përpjekjeve destabiliziese që rrezikojnë stabilitetin rajonal, që është kusht i përparimit të gjithanshëm”.