Konjufca takoi përfaqësuesit e komunitetit turk: Kosova, shembull në rajon i garantimit dhe zbatimit të të drejtave të komuniteteve

Me rastin e 23 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Turqve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot, në takime të ndara, një delegacion të Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), të prirë nga kryetari i kësaj partie dhe ministër i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, si dhe kryetarin e YTHP-së, Erkan Simitçi.

“Konjufca ka uruar komunitetin turk për festën e tyre, duke i falënderuar për angazhimin e vazhdueshëm në kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike, kontributin në ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve shtetërore, si dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Pasi vlerësoi rolin e komunitetit turk në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit tonë dhe Turqisë, tha se Republika e Kosovës është shembull në rajon e më gjerë i garantimit dhe zbatimit të të drejtave të komuniteteve”, thuhet në njoftimin për media.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e komunitetit turk të Kosovës, pasi e uruan Konjufcën për detyrën e re në krye të Kuvendit të Kosovës, shprehen gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe kontributit të përbashkët drejt zhvillimit të gjithanshëm të vendit tonë.​