Konjufca shkarkon motrën e Ganimete Musliut nga Konsullata e Frankfurtit

Ministri i punëve të jashtme Glauk Konjufca i ka propozuar Thaçit tërheqjen e diplomates Fatmire Musliu, e cila është e njohur për skandalet e saj përgjatë rrugëtimit më shumë se tetë vjeçar nëpër misionet diplomatike. Musliut i ishte vazhduar mandati i tretë nga ish ministri Behgjet Pacolli, në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e MPJ-s të cilat obligojnë për rotacion në shërbimin e jashtëm. Fatmirja, që është motra e deputetes së PDK-s, Ganimete Musliu nuk ka asnjë ditë pune në MPJ. Konjufca ia ka dërguar presidentit letrën, më 31 mars.

“Mbështetur në nenin 93, pika 8 dhe nenin 84 pika 25 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 22 të Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës (GZ. Nr. 46/15 janar 2009), bazuar në nenin 10 (paragrafi 9) të Rregullores për Shërbimin e Jashtëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozoj tërheqjen nga Misioni nj. Fatmire Musliu, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republikën Federale të Gjermanisë”, shkruan në vendim.

“Znj. Musliu që nga emërimi i saj i parë në Misionin Diplomatik në Berlin në datë 23.11.2009, asnjëherë nuk është kthyer për të shërbyer në Ministri”.

Paraardhësi i Konjufcës në krye të ministrisë së punëve të jashtme, Behgjet Pacolli ishte zmbrapsur nga mësymja për t’i vendosur në rotacion një numër diplomatësh të cilët kanë përmbushur nga dy mandate në shërbimin e jashtëm. Nga frika se mund të ngjall pakënaqësi, Pacolli ua kishte vazhduar edhe mandatin e tretë. Njëra prej tyre është Fatmire Musliu, e cila vitin e kaluar ka nisur mandatin e tretë në diplomaci. Musliu ka qenë në mesin e diplomatëve që është dashur të kthehen në Kosovë, në gusht të vitit 2018. Por Pacolli, jo që nuk ka kthyer, por fluturimin e saj diplomatik e ka shoqëruar edhe me ngritje në detyrë. Këtë e ka bërë në një vendim të vetëm.

“I. Znj. Fatmir Musliu, Ministër Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bern/Konfederata e Zvicrës, në kuadër të lëvizjes paralele, transferohet me gradën e njëjtë diplomatike, në Konsullatë e Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republika Federale e Gjermanisë”, shkruan në vendim.

Krahas legjislacionit, MPJ ka edhe Rregullore për shërbimin e jashtëm.

Neni 7 i saj flet për Sistemin e integruar të personelit.

“1. Sistemi i vlerësimit të rezultateve në punë dhe caktimet në detyra në formë rotacioni për personelin diplomatik dhe konsullor, janë të bazuara në konceptin: “Një Shërbim, një Ministri”. Sistemi i integruar i personelit të Ministrisë është në pajtueshmëri me ligjet dhe rregulloret e tjera për shërbimin civil të karrierës”, thotë pika 1 e këtij neni.

Është neni 3 që i obligon diplomatët të jenë të gatshëm të futen në rotacion, sa herë që këtë ua kërkon ministri.

“Personeli i Ministrisë së Punëve të Jashtme duhet të jetë i gatshëm që të shërbejë kudo në botë, sa herë që Ministria e përcakton se është e nevojshme, qoftë në Republikën e Kosovës ose jashtë vendit”, thotë ky nen.

Nga të punësuarit e Ministrisë së Punëve të Jashtme pritet që pranojnë me vullnet obligimet e tyre për të shërbyer në Republikën e Kosovës ose kudo jashtë vendit, sa herë që mund ta kërkojnë nevojat e Ministrisë”, saktësohet në nenin pasues.

Vazhdimin e mandatit për Musliun, MPJ-ja e pati arsyetuar me atë se janë marrë rekomandimet nga eprorët.

Por ankesa të shumta në adresë të Musliut, janë bërë përgjatë viteve të fundit.

“Koha” ka siguruar letërkëmbimin e një diplomati në Konsullatën e Frankfurtit, i cili ankohet në Musliun për ushtrim presioni dhe shtytje për veprime në kundërshtim me ligjin. Murat Makolli- asistent i parë administrativ në Konsullatën e Republikës Kosovës në Frankfurt, letrën ia ka dërguar MPJ-s, përkatësisht komisionit për gradime ankesa dhe disiplinë. Mes tjerash, ai është ankuar se Musliu e ka detyruar t’iu dërgojë në një destinacion të caktuar, edhe pse nuk ka pasur veturë zyrtare e as nuk ka qenë vozitës i Konsullatës. Si pasojë stresit dhe presionit vazhdueshëm, siç shkruan në ankesë, ai ka pësuar një paralizë nervore pas së cilës është detyruar të shkojë në pushim mjekësor.

“Kjo gjendje më ka ardhur si pasojë e presionit dhe stresit të bërë nga drejtuesja e misionit znj.Fatmire Musliu në të gjitha mënyrat e mundshme që nga ardhja e saj si konsulle e përgjithshme në Konsullatën e Republikës së Kosovës Frankfurt am Main. Znj.Fatmire Musliu që nga ardhja e saj, konsulle e përgjithshme në Frankfurt am Main më ka thënë që një këmbë e ke brenda e një jashtë, këtë munden ta konfirmojnë edhe kolegët e tjerë pasi që e ka thënë para të gjithave”, shkruan në ankesën që i është dërguar drejtorit të përgjithshëm në MPJ, ALbert Prenkaj dhe shefit të kabinetit të ministrit, Kreshnik Ahmeti, më datë 30 mars. Ankesën e njëjtë ia ka paraqitur edhe me 08.06.2019, ish sekretarit të përgjithshëm, Fitim Sadiku si dhe Ambasadorit të Kosovës në Berlin, Beq Cufaj.

“Kur unë me 22.05.2019 i kam njoftuar që kam kokëdhimbje të mëdha dhe nuk jam në gjendje me punu më, pasi që e kam parë që gjendja ime shëndetësore është shumë e rënduar, zonja Musliu më ka thënë: shko në zyre kthej emailat dhe bëje databazen e raportin për DPD –MPB. Nuk e ka marrë për bazë ankesën time shëndetësore . Po ashtu zonja Musliu nuk ka dëshiru ta respektojë kontratën e punës sime pasi që në atë kontratë cekët se unë që nga data 02.05.2018 jam asistent i parë administrativ e ku një gjë të tillë e ka edhe miratimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e jo punëtor i sigurisë ashtu siç pretendon zonja Musliu dhe më paraqet në faqen zyrtare të konsullatës”, shkruan në ankesë.

Makolli më tej, ai u tregon zyrtarëve të MPJ problemet që ka pësuar, derisa ka paralajmëruar MPJ-n se do ta ndjekë çdo masë ligjore për ta kërkuar të drejtën e tij.

“Më e keqja është se unë që nga data 23.05.2019 si pasojë e stresit dhe presionit vazhdueshëm të bërë në punë nga zonja Musliu, kam marrë një paralizë nervore të anës së majt të kokës syrit, hundës, gjuhës, veshit dhe laringut dhe gjendem në pushim mjekësor. Situata ime e ka shqetësuar jashtë mase nënën time e cila është e paralizuar nga viti 2008 e që unë bashkërisht me bashkëshorten time jam mbikëqyrës i saj, e po ashtu edhe vajzën time të vetme dhe gruan time”, shkruan në ankesë.

Musliu edhe në vitin në vitin 2013 ishte përfshirë në një skandal në Gjermani, pas përplasjes me eprorin e saj, ish-ambasadorin, Vilson Mirdita. Sipas komunikimeve të publikuara atë kohë, ambasadori Mirdita ankohej vazhdimisht në Ministrinë e Jashtme për sjelljet e Musliut. Në to shpjegohej në detaje se si Musliu shpërfillte hierarkinë dhe punonte kokë më vete, duke e vënë misionin diplomatik shumë herë në pozita të palakueshme. Diskutimi me tone kërcënues në zyrën e ambasadorit kishte ardhur pasi që Musliu i ka sjellë ambasadorit për të nënshkruar një reagim ndaj transmetimit në ZDF të një dokumentari për Kosovën.

Reagimin e kishte shkruar vetë Musliu dhe atë donte ta dërgonte edhe në Komitetin e Jashtëm të Bundestagut, ku mes tjerash kërkonte nga deputeti Ruprecht Polenz “për të disiplinuar” një fraksion partiak të Bundestagut. Musliu gjithashtu e kishte quajtur propagandë kundër Kosovës dokumentarin e ZDF-së ku trajtohej tema e trafikimit të organeve nga eksponentë të UÇK-së. Pasi Mirdita kishte refuzuar ta nënshkruante dokumentin, Musliu, sipas asaj që deklaronte ambasadori, kishte kaluar në agresivitet fizik. Ambasadori, ishte shtrënguar ta telefonojë drejtorin përgjegjës të Policisë për Misionet Diplomatike.

Në lidhje me këto pretendime, gazeta ia ka ofruar mundësinë Fatmire Musliut që të sqarohet, por këtë nuk e ka bërë për shkak të ndalesave me rregulloret e brendshme të MPJ-s. Por nuk e ka përjashtuar mundësinë që këtë ta bëjë më vonë, nëse MPJ nuk reagon për rastet e raportuara.

Në javët e para si ministër, Glauk Konjufca, kishte propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve të emëruar me çelës politik, e të cilët e kanë mbushur një mandat. Ata janë: Vlora Çitaku (ShBA), Edon Cana (Bullgari), Lirim Grejçevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Mimoza Ahmetaj (Strasburg), Ylber Hysa (Mali i Zi), Ramadan Avdiu (Zvicër). Konjufca ka shkarkuar edhe 14 konsuj, të cilët ishin emëruar gjatë qeverisjes së kaluar. Por, problemi i ka dalë me presidentin Thaçi i cili nuk ka nënshkruar vendimet për largimin e tyre. Konjufca ka paralajmëruar betejë kushtetuese me presidentin, nëse ai nuk i firmos dekretet. Zyra e presidencës ka refuzuar të komentojë këtë proces, përkundër interesimit të gazetës