Zgjedhjet

Konjufca pohon se Nisma u ndihmua të futet në Kuvend që të dëmtohet VV’ja

Nisma Socialdemokrate është mobilizuar me gjithë sistemin vetëm që të arrijë kalimin e pragut, ka thënë nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

“Në momentin kur këta e kanë kuptuar që Nisma bie, këta janë mobilizuar të gjejnë një zgjidhje. Zgjidhja e parë ka qenë diaspora, të anulohen votat e diasporës”, ka thënë ai.

“Kur nuk mundën ta arrijnë, e zgjodhën qëllimin më të lehtë. Le t’ia heqim nja 3 mijë vota Listës Serbe, ku nuk dëmtohet me asnjë deputet. Nuk u ndryshon as renditja. Lista Serbe nuk ka kurrfarë dëmi prej kësaj pune. Të tregtojmë dhe të bëjmë pazar me këto vota, që nuk e dëmtojnë Listën Serbe, por VV’në”, është shprehur ai.

“Kjo ka qenë skenar i përkryer për të gjithë ata që e luftojnë VV’në. Nëse Nismës do t’i dështonte kjo ankesë, do të gjenin disa vota tjera, ku janë e ku s’janë, 30 mijë vota kudo që janë, sepse u mobilizua krejt sistemi, sepse aty është kufiri, ku Nisma hyn në Kuvend”, ka deklaruar Konjufca në RTV21.

“Le t’i lënë shpifjet, lojërat e patriotizmit, se kush po mbron vota prej Serbisë, e kush jo. Argumenti im ishte që po të ishte patriotizmi, Nisma nuk do t’i kishte pranuar këto vota më 2014, e 2017. I mbyllnin sytë dhe thoshin se ky është ligji”.

E gjithë kjo, sipas Konjufcës, është “shumë e dyshimtë dhe skenar politik. Këtu nuk bën të përjashtohet edhe korrupsioni dhe paratë”.