Konjufca: Përgjegjësia kryesore për rritjen e numrit të infektimeve dhe vdekjeve nga Covid 19 është e qeverisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në emisionin Rubikon në Klan Kosova ka thënë se përgjegjësia kryesore për rritjen e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve nga Covid 19 është e qeverisë dhe e profesionistëve shëndetësorë.

“Ka përgjegjësi qysh s’ka. E ka përgjegjësinë kryesore. Përgjegjësia kryesore pse janë kaq të infektuar dhe pse është numri kaq i lartë i të vdekurve e ka qeveria së bashku me të gjitha institucionet shëndetësore.”, deklaroi Konjufca.

Konjufca potencoi se kur qeverisë Kurti iu duk që e fitoi luftën ndaj pandemisë, u shfaq varianti Delta, të cilit qeveria nuk i kushtoi vëmendjen e duhur për marrjen e masave me kohë. “Gabimi ka qenë këtu, hapja totale. Këtu ka qenë gabimi. Qeveria e ka vendosë.”, tha ai në Klan.

Sipas Konjufcës në përkeqësimin e gjendjes ka ndikuar edhe vetëdija e një pjese të popullatës që ka hezituar të vaksinohet, por në parim qytetarët kanë më së paku faj në këtë situatë.