Glauk Konjufca

Konjufca: Ngushëllime “mbarë kombit shqiptar” pas vdekjes së Kadaresë

Ngushëllime mbarë kombit shqiptar, ka shkruar Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, për çka Konjufca tha se shqiptarët “mbetën pa ambasadorin më të shquar të tyre”.

Postimi i Konjufcës:

Me pikëllim të thellë mora lajmin se sot në moshën 88 vjeçare ka ndërruar jetë shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare. Letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar.

Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç’gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe.

Si trasues i traditës së rilindasve, Kadare ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistikën e tij. Ai do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit europian të shqiptarëve.

Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme.

Ngushëllimet më të sinqerta zonjës Helena Kadare dhe familjes Kadare!

Ngushëllime gjithë lexuesve dhe adhuruesve të librave të tij!

Ngushëllime mbarë kombit shqiptar!