Glauk Konjufca

Konjufca në Shkup merr pjesë në fushatën në Maqedoni të Veriut

Lëvizja Vetëvendosje është në mbështetje të plotë për opozitën shqiptare në Maqedoni të Veriut, përkatësisht koalicionit VLEN – në listat e të cilit kanë edhe kandidatë edhe për deputetë – derisa me afrimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, zyrtarë të lartë të kësaj partie, konkretisht Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shkuar të mërkurën në Shkup, për t’i dhënë kështu mbështetje VLEN-it.

Konjufca është parë duke ecur i shoqëruar nga liderët e VLEN-it – kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi – në “Çarshinë e Shkupit”.

Konjufca deri më tani është zyrtari më i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje që merr pjesë fizikisht në fushatën në Maqedoni të Veriut, derisa një gjë të tillë ditëve në vijim do ta bëjë edhe kryeministri, njëherit kreu i VV-së, Albin Kurti.

Përveç kësaj ecje të përbashkët nëpër Çair – për të demonstruar kështu mbështetje për VLEN-in – Konjufca do të marrë pjesë edhe në tubimin e këtij koalicioni që do të mbahet në mbrëmje në Likovë, ku do jetë njëri nga folësit.

Ndryshe, Kurti, tanimë edhe zyrtarisht është përfshirë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, duke marrë pjesë në tubime që i organizon koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, të cilin e përkrah dhe brenda listave të të cilëve ka futur kandidatë për deputetë nga radhët e LVV-së.

Kurti do të marrë pjesë një tubim që është organizuar nga “VLEN”-i në Berlin të Gjermanisë, që do të mbahet më 19 prill, katër ditë para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale.

Aty, së bashku me Kurtin, do të jenë edhe liderët e tjerë të koalicionit “VLEN” – kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kandidati i tyre për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, lideri i Alternativës, Afrim Gashi, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, si dhe përfaqësuesi i VV-së Maqedoni të Veriut, njëherit këshilltar i Kurtit, Bekim Qoku.

Maqedonia e Veriut në fund të prillit dhe në fillim të majit do të përballet me procese elektorale. Fillimisht do të jenë ato presidenciale, raundi i parë më 24 prill, ndërsa i dyti më 8 maj, së bashku me ato parlamentare.

Në kampin shqiptar në zgjedhjet presidenciale do jenë dy kandidatë shqiptarë nga 7 gjithsejtë. Bujar Osmani nga koalicioni “Fronti Evropian” – që përbëhet nga disa parti shqiptare dhe parti të minoriteteve – i ideuar nga kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Nga ana tjetër është Taravari që ka mbështetjen e “VLEN”-it dhe të kryeministrit Kurti – madje kandidatura e kryetarit të Gostivarit për president ishte bërë pas një takimi që kishte pasur me Kurtin në Prishtinë, së bashku me partnerët e tij të koalicionit.

Ndërsa për zgjedhjet parlamentare, përveç mbështetjes, Kurti do të ketë në listat e “VLEN”-it edhe kandidatë për deputetë, 3 sosh, me në krye këshilltarin e tij, Bekim Qoku.

Duke mbështetur opozitën shqiptare, kryeministri është rreshtuar kundër partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim, rrjedhimisht kryetarit të saj Ahmeti.

VIDEO BONUS: