Kryeparlamentari

Konjufca: Mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë, po e rrit numrin dhe natyrën e sulmeve të saj mbi Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj nga Serbia, përbënë një sinjal tepër të rrezikshëm.

Konjufca ka thënë se mosndëshkushmëria ndaj Serbisë po e rrit numrin dhe natyren e sulmëve të saj ndaj Kosovës dhe qytetarëve.

“E vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre është shtypja e opozitës dhe demokracisë së brendshme, por dhe dëmtimi me çdo mjet i fqinjëve. Në mënyrë të përsëritur, mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin dhe natyrën e sulmeve të saj mbi Republikën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Ai ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të qytetari Hasan Dakaj.

“Bëj thirrje për lirim të menjëhershëm të qytetarit tonë, Hasan Dakaj. Mbajtja e tij peng, vetëm pse është ish-ushtar i UÇK-së, tregon që në Serbi kemi të bëjmë me një qeveri dhe me një shtet që nuk ka ndryshuar aspak në raport me atë Serbi që bëri krime lufte, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Me këtë akt, qeveria serbe dëshmon se është në përputhje të plotë me politikën e regjimit të Millosheviqit. Akte të tilla mbi qytetarët tanë nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë. Thirrja e komunitetit ndërkombëtar për t’i bërë presion Serbisë për lirimin e Hasan Dakajt do t’i shërbente më së miri stabilitetit dhe mundësive të së ardhmes”, ka shkruar ai.

Për këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e cila i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të marrë hapa të menjëhershëm për lirimin e Dakajt.

Avokati Xhevdet Smakiqi ka njoftuar se është arrestuar ish-ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj sot në Merdarë.

Smakiqi tha se ai u arrestua gjatë kohës sa po kalonte kufirin për të shkuar në Itali së bashku me vëllanë e tij. Ai konfirmoi se sipas informatave të para atë e kanë dërguar në qendrën e ndalimit në Kurshumli.

VIDEO BONUS: Serbia vazhdon me veprim të njëanshme duke kërcënuar paqen në rajon