Glauk Konjufca i ka dhënë afat edhe 24 orë deputetit të PSD-së, Dardan Molliqajt, që të nxjerrë fakte të vërteta – dokumente – lidhur me akuzat në drejtim të tij për punën në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK).
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes ka thënë sot se nëse Molliqaj nuk nxjerrë asnjë fakt për akuzat për SHIK-un, deri nesër në orën 16:00, atëherë duhet të kërkojë falje për njollosjen e imazhit të tij.
“Sidoqoftë, po ia jap edhe 24 orë afat për të nxjerrë çfarëdo ‘dokumenti’, qoftë bre edhe dokument të fallsifikuar. Nëse deri nesër në orën 16 nuk qet asnjë fakt, atëherë definitivisht pres të më kerkojë falje”, është shprehur Konjufca në një prononcim për Gazetën Express.
Konjufca ka thënë se Molliqaj ka hyrë në pazare me kryetarin e PDK-së dhe ish-kreun e SHIK-ut, Kadri Veselin.
“Po bëhen një vit prej kur ka hyrë në pazare me Kadri Veselin. Qe një vit ka pasë rastin me hulumtu falas në arkivat e SHIK-ut, dhe nuk është në gjendje ta nxjerrë as edhe një dokument të vetëm”, ka thënë Konjufca.
Shefi i deputetëve të VV-së është shprehur se kurrë nukka punuar në SHIK, ndërkaq Molliqajn e ka quajtur “person joserioz”. Ka thënë se është “gjynah që është deputet”.
“Unë kurrë nuk kam qenë në SHIK dhe as kam punuar kurrë në të. Ky i sotshmi ishte një film shumë i dobët fatastiko-shkencor i Molliqajt. Ai gënjeu sërish meqë para pak ditësh premtoi me shumë bujë nxjerrjen e ‘dokumenteve’ kundër meje, kurse sot ra në nivelin e llafeve ‘me të dëgjuar’. Dardani definitivisht nuk po e kuptoka se çka është dokumenti si i tillë. Ky person është shumë joserioz dhe gjynah për Kuvendin që është deputet”, ka thënë shefi i GP të VV-së.







