Një grup kongresmenësh amerikanë të prirë nga Michael R Turner, i kanë drejtuar një letër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, përmes së cilës kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për raportimet se administrata Trump mund të reduktojë praninë e forcave amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it.
Sipas kongresmenëve, një lëvizje e tillë do të rrezikonte stabilitetin, jo vetëm të Kosovës por edhe të rajonit.
“Në një kohë të brishtësisë së shtuar politike dhe të rritjes së ndikimeve dashakeqe në Ballkanin Perëndimor, një reduktim i pranisë amerikane rrezikon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë, veçanërisht Bosnjë dhe Hercegovinën. Ju bëjmë thirrje të ruani nivelin e forcave amerikane për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në letrën e kongresmenëve.
Kongresmenët në këtë letër theksojnë se çdo reduktim i personelit ushtarak amerikan mund të ketë pasoja të konsiderueshme jo vetëm për kapacitetet operacionale të forcës paqeruajtëse, por edhe të dobësojë rolin e KFOR-it si një faktor politik parandalues për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.







