“SHBA-të mbështesin pozicionin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që Serbia dhe Prishtina në dialog duhet vetë të arrijnë marrëveshje pa ndikim nga jashtë”.

Kështu ka thënë sot në Beograd Ted Poe, kongresisti amerikan.

Po në një intervistë për agjencinë Beta ka thënë se SHBA-të me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump kanë marrë qëndrim se Serbia dhe Kosova duhet vetë të arrijnë marrëveshje, e jo që nga jashtë të imponohet se çfarë marrëdhenie duhet të kenë.

“Administrata e Trumpit, veçanerisht sekretari i shtetit (Mike Pompeo) kanë treguar se dëshirojnë marrëdhenie me Serbinë dhe dëshirojnë që Serbia dhe Kosova ta zgjidhin konfliktin i cili kurrë më herë nuk ka qenë i zgjidhur. Mendoj se kjo është mirë”, ka thënë Poe, transmeton Ballkani.info.

Kongresisti nga Teksasi ka thënë se ka pasur takime të mira me kryeministren Ana Bërnabiq dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se është i impresionuar me ata dhe mendon se “Serbia është në duar të mira kur bëhet fjalë për të dy personalitetet dhe programet e tyre”.

“SHBA-të dëshirojnë që t’i tregojnë kryeministres dhe presidentit se çfarë ata dëshirojnë të bëjnë që Serbia të ketë ndikim më të fuqishëm në rajon. Edhe SHBA-të e mbështesin këtë, por edhe sa i përket çështjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. E mbështesim pozicionin e presidentit që të arrihet marrëveshje në mes të dy palëve pa ndikim të jashtëm… ky është mesazhi kryesor që ua kam dhënë presidentit dhe kryeministres”, ka thënë Poe. /Ballkani.info/