‘Konflikt’ në mes të ministrive të LDK’së për vjedhjen e 2 milionëshit: Ajo çfarë ka thënë ministrja është dezinformatë

Ministrja Hykmete Bajrami, mbërmë në një intervistë, tha se hallka kryesore ku do të pengohej vjedhje e 2 milionë eurove, ishte në Ministrinë e Infrastrukturës, dhe fajtor për këtë e ka bërë Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie Izedin Bytyqi. Por, ky i fundit, sot në një konferencë për media, fjalët e ministres i cilësoi si dezinformatë, edhe pse më vonë e pranoi se vartësit e tij mund të jenë përgjegjës për mos mbylljen e një llogarie përmes së cilës çertifikohen pagesat.

Ministrja Bajrami fajësoi sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës për 2 milionëshin, pasi kjo ministri nuk i kishin mbyllur llogarinë një zyrtari për çertifikimin e pagesave, edhe pse ai prej nëntë muajsh nuk punonte në këtë ministri. Dhe pikërish kjo llgari ishte përdorur nga Labinot Gruda, për t’i çertifikuar pagesat që ai i kishte kryer për t’i vjedhur paratë nga Thesari i Kosovës.

Por, sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, sot në një konferencë për media, ku prezet ishte edhe ministri i kësaj ministrie, Arban Abrashi, i quajti dezinformata ato që i ka thënë ministrja Bajrami një ditë më parë.

“Ministrja Hykmete Bajrami me siguri është e dezinformuar. Këtë informatë nuk e ka prej ministrisë sonë, por kushedi se kush ja ka dhënë, dhe tash njerëzit për me e hjekë përgjegjësinë, japin edhe informata të pasakta te ministrja. Ky zyrtari Fadil Fazliu, me aktemërim është zyrtar çertifikues në Ministrinë e Infrastrukturës, prej datës 11 janar 2020 është i trasferuar si ushtrues i detyrës në Njësinë e Patentshoferëve në Mitrovicë. Pra, është punëtor i Ministrisë së Infrastrukturës, dhe jo punëtor i Komunës, ose drejtor në Komunë, siç e kishin dezinformu ministren Bajrami. Ai në çdo kohë mund të kthehet ta ushtrojë detyrën, ashtu siç e ka me aktemërim”, ka thënë Bytyqi.

Megjithatë, në të njëjtën konferencë, vetëm pesë minuta më pas, sekretari Bytyqi, e demantoi vetën, duke e pranuar se llogaria e çertifikuesit të pagesave në MI që tani punonte në Njësinë e Patentshoferëve, do duhej të mbyllej, derisa ai nuk e ushtronte atë detyrë prej nëntë muajsh.
“Pse nuk i është mbyllur llogaria, këtë nuk e di, është çështje që ka mbetur të hetohet, se pse nuk është bllokuar ajo llogari dhe për këtë zyrtarët përgjegjës që nuk i kanë marrë veprimet e veta, do të duhet të japin përgjegjësi”, ka thënë Bytyqi.

Labinot Gruda, si zyrtar i Ministrisë së Financave, që për përgjegjësi kishte hapjen e llogarive për zyrtarët tjerë, kishte krijuar llogari të rreme në emër të zyrtarëve fiktiv të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe këto llogari i kishte shfrytëzuar për të porositur blerje, e më pas edhe për të pranuar mallin kinse të blerë. Por, ai nuk do të mund t’i kryente pagesat, sikur të mos e shfrytëzonte llogarinë e një zyrtari çertifikues, llogari e cila do të duhej t’i mbyllej, pasi ai prej nëntë muajsh nuk ushtronte më atë detyrë.

Për mos mbylljen e kësaj llogarie, ministrja e Financave e ka bërë përgjegjës, sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, i cili sot ka tentuar që këtë përgjegjësi ta largojë nga vetja.