Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar barna të kontrabanduara dhe pa banderolë të Kosovës.
Për këtë, policia e ka arrestuar një person të dyshuar i cili është dërguar në mbajtje për 48 orë më pas.
“Policia e Kosovës ka njoftuar se respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) – Prishtinë në koordinim me prokurorin kompetent dhe si rezultat i veprimeve të ndërmarra me sigurimin e dëshmive dhe sekuestrimin e barnave të kontrabanduara nga inspektorati farmaceutik , ka krijuar dyshimin e bazuar se i dyshuari mashkull kosovar ka shitur barna të kontrabanduara dhe me këtë rast ka konsumuar veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore” nga neni 260 i KPRK-së”.
“Lidhur me rastin përveç barnave pa banderola të Republikës së Kosovës janë hasur edhe barna me banderola të produkteve të tjera të cilat nuk kanë përkuar me produktet që i kanë pas të vendosura, e të cilat u janë shmangur kontrolleve të nevojshme në vendin tonë në aspektin e cilësisë si dhe u janë shmangur taksave doganore dhe pagesave tjera të obliguara nga organet kompetente”.
“Andaj në lidhje me rastin me datë 08.10.2024 i dyshuari i lartcekur është intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të prokurorit kompetent i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë.







