Konfiskimi i pasurisë, çelës për luftimin e krimit dhe korrupsionit

Kosova nuk ka shënuar rezultate të prekshme në sferën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme, ani pse konfiskimi mbetet çelësi kryesor për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Kështu u tha me rastin e publikimit të raportit “Mbështetja e mëtejshme e institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Me rastin e publikimit të këtij raporti, u theksua se Kosova ka legjislacion të mirë në sferën e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme, por që nevojiten rezultate konkrete.

Kryetari për sundim të ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Cezary Michalczuk, tha se Kosova ka një legjislacion të mirë sa i përket konfiskimit të pasurisë së firuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe sipas tij tash mbetet të shihen rezultatet konkrete.

“Ne kemi diskutuar shumë për konfiskimin si temë dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsioni, çfarë ka mbetur kur projekti lëshon Kosovën është se ka mbetur një kornizë shumë e mirë, shumë solide për luftimin e këtyre veprave penale. Besoj që edhe gjyqtarët, po edhe prokurorët janë përgatitur shumë mirë në këtë aspekt dhe janë të njohur me regjimin e këtyre dhe ato që priten është konkrete, pra gjëra konkrete, që do të thotë rezultat konkret, konfiskim. Kjo është ajo suksesi që do ta lërë ky projekt”, tha ai.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi tha se Kosova nuk ka shënuar rezultate në konfiskimin e pasurisë, por që tha se çelësi i luftimit të korrupsionit është konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Ai u shpreh se janë duke punuar me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e vlerave të demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit, por edhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

“Është e vërtetë se deri më tani nuk kemi pasur rezultate të prekshme në sferën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë. Çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit është konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Vetëm atëherë kur të konfiskojmë pasurinë e dimë që jemi në rrugën e duhur dhe e dimë që kemi ndërmarrë veprime për marrjen praktikisht të pushtetit ekonomik nga duart e grupeve kriminale, sepse nëse e lëmë të paprekshme pasurinë e përfituar me veprën penale ekziston rreziku se mund grupet kriminale edhe t’i përsërisin veprat penale, po në raste të caktuara edhe t’i korruptojnë bartësit e funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale. Kjo është arsyeja pse në këtë sferë duhet të jemi më të vëmendshëm dhe tash kemi legjislacion të mirë, i cili na lejon që të konfiskohet pasuria pasi të merret një aktgjykim dënues”, tha ai.

Udhëheqësi i projektit Ian McDonald, tha se pjesa kryesore e projektit ka qenë ligji për kompetencat e zgjeruara, që sipas tij ky ligj është i fuqishëm dhe i lehtë për t’u vënë në funksion.

“Pjesa më kryesore e kësaj ka qenë ligji për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit. Edhe pse projekti ka kontribuar në përditësimin dhe përmirësimin e dispozitave të konfiskimit si në Kodin e Procedurës Penale, po ashtu edhe në Kodin Penal dhe çdo juridiksion, e cila është e suksesshme në konfiskimin e pasurive nga krimi mjeti më kryesor dhe nga vijnë paratë më të shumta që ia marrin krimit është ligji për kompetencat e zgjeruara. Thënë në përgjithësi, dikush pasi është dënuar për një krim, i cili është i ndërlidhur me një krim të organizuar, ai person tani person i dënuar pritet që t’i shpjegojë gjykatës se nga kah kanë ardhur të gjitha pasuritë e tij për të verifikuar nëse mundet a ndërlidhet me një krim apo jo. Do të ishte e drejtë të themi që ligji për kompetenca të zgjeruara që Kosova ka në grupin e mjeteve ligjore që ka është pjesa e legjislacionit më e fuqishme dhe më e lehta për t’u và «në në funksionim”, tha ai.

Në anën tjetër, ish-drejtori i projektit Andrea D’Angelo, ka përmendur disa nga dilemat që kanë pasur prokurorët dhe gjyqtarët në kohën kur ka filluar projekti rreth konfiskimit, derisa ka potencuar se konfiskimi është dera më e rëndësishme për luftimin e krimit.

“Ka pasur diskutime serioze se a duhet të konfiskohet një lopë apo nëse një veturë, pra a duhet ta konfiskojmë kamionin. Nuk ishte se nuk ishin profesional, por ishin tema të reja në atë kohë. Ka pasur diskutime se a mund ta konfiskojë një shtëpi apo një veturë që më ka dhuruar dikush i familjes, pra ndoshta kam lidhje sentimentale, ndoshta edhe pse jam kriminal dua ta mbajë këtë veturë. Kjo ka qenë në 2013 dhe fakti që jemi këtu sot duke diskutuar për kornizën ligjore, e cila flet për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit dhe po flasim për inteligjenca serioze financiare apo i analizimit të tyre. Tani kemi ardhur në një pikë që konfiskimi është dera më e rëndësishme për luftimin e krimit të organizuar”, tha D’Angelo.

Projekti “Mbështetja e mëtejshme e institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm” do të përfundojë më 12 shkurt 2020.