Konfirmohet zyrtarisht: Erdogan ka fituar zgjedhjet në Turqi

Recep Tayyip Erdogan ka fituar rundin e balotazhit, duke i rizgjedhur në postin e presidentit të Turqisë, tha kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor turk.

Kreu i këtij këshilli, Ahmet Yener, zyrtarisht shpalli rezultatin zgjedhor, duke thënë se Erdogan ka fituar 52.14 për qind të votave.

“Edhe nëse të gjitha rezultatet që ende nuk janë futur në sistem shkojnë për kandidatin tjetër, rezultati nuk do të ndryshojë”, tha ai.

Mw 99.43 për qind të votave të numëruara, rivali i Erdoganit, Kemal Kilicdaroglu, ka fituar 47.86 për qind të votave, shtoi Yener.

Më herët, Erdogan tha se populli turk i ka dhënë atij përgjegjësinë për të qeverisur në pesë vjetët e ardhshme, duke shpallur fitoren në rundin e balotazhit të zgjedhjeve presidenciale.

Duke folur para mbështetësve të tij në Stamboll, Erdogan, që e ka udhëhequr Turqinë për dy dekada, falënderoi qytetarët që votuan dhe tha se me votën e tyre, ai ka mposhtur në zgjedhje kundërkandidatit nga opozita, Kemal Kilicdaroglu.

Ndërkaq, gjatë fjalimit të tij, Kemal Kilicdaroglu, nuk pranoi humbjen në zgjedhje, por dënoi “qeverisjen autoritare” të Erdoganin dhe tha se zgjedhjet ishin të padrejta.

“Duhet ta dini se ne do të ngrihemi kundër vështirësive që na presin”, tha ai.

Ai falënderoi 25 milionë turq që votuan për të dhe kërkoi nga mbështetësit e tij në Ankara që të “ngriheni në këmbë dhe të ecni me krenari”.

Mbi 60 milionë persona kishin të drejtë vote në zgjedhjet e së dielës.

Qendrat e votimit për rundin e balotazhit u hapën në orën 08:00, sipas kohës lokale, dhe u mbyllën në orën 17:00.

Sipas Anadolut, dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve është 4 për qind se në rundin e parë, përkatësisht 84-85 për qind.

Mbi 400.000 vullnetarë nga partitë opozitare kanë monitoruar procesin e votimit dhe të numërimit të votave.

Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajtën më 14 maj, Erdogan doli i pari, duke fituar 49.5 për qind të votave, ndërkaq Kilicaroglu arriti të merrte 44.9 për qind të votave.