Marina Amerikane ka kryer një sulm që fundosi një anije luftarake iraniane në brigjet e Sri Lankës, konfirmuan tre zyrtarë amerikanë për Reuters.

Njëri prej tyre, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se sulmi u krye nga një nëndetëse ushtarake amerikane, transmeton Ballkani.info.

Sipas informacioneve të fundit, të paktën 140 persona rezultojnë të zhdukur pas fundosjes së anijes. Autoritetet e Sri Lankës njoftuan se 32 persona u shpëtuan.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së gjithashtu konfirmoi sulmin nga nëndetësja

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth tha në një konferencë për shtyp sot se një nëndetëse amerikane fundosi një anije luftarake iraniane “që mendonte se ishte e sigurt në ujërat ndërkombëtare”.

Hegseth tha se anija u “fundos nga një silurë”. “Është fundosja e parë e një anijeje armike nga një silurë që nga Lufta e Dytë Botërore”, shtoi ai. “Ashtu si në atë luftë… ne po luftojmë për të fituar”, tha ai.

BREAKING: This is the Iranian IRIS Dena, a Moudge Class Frigate of the Iranian Navy which was attacked by a submarine early morning in Indian Ocean https://t.co/al4zcfTAPM pic.twitter.com/KPunXdPKrj

— AsiaWarZone (@AsiaWarZone) March 4, 2026

Sulmi ndodhi në brigjet e Sri Lankës

Sulmi ndaj fregatës iraniane ndodhi dje në brigjet e qytetit jugor të Galle, pak jashtë ujërave territoriale të kombit ishullor. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Sri Lankës konfirmoi më parë se marina kishte nisur një operacion shpëtimi pasi nga anija u bë një thirrje për ndihmë.

Marinarët e shpëtuar u dërguan në Spitalin Kombëtar në Galle, ku po marrin trajtim. Ministri i Jashtëm i Sri Lankës, Vijitha Herath, i tha parlamentit se anëtarët e ekuipazhit ishin “të plagosur rëndë”. /Ballkani.info/