Konfirmohet mungesa e Hazardit në “El Clasico”

Eden Hazard do ta humbë “El Clasison” e parë të karrierës së tij me Real Madridin, pasi që klubi madrilen ka bërë të ditur se procesi rikuperues i tij nga lëndimi do të zgjasë katër deri në gjashtë javë.

Ashtu siç ishte raportuar më parë, Eden Hazard do të mungojë në ndeshjen kundër Barcelonës, që do të zhvillohet në Camp Nou, pasi që Real Madridi ka konfirmuar se belgu e ka pësuar një çarje të vogël në kyçin e këmbës.

Pasi ishte detyruar ta lë në gjysmë ndeshjen e Real Madridit kundër Paris Saint-Germainit, që përfundoi me rezultat 2-2 në kuadër të Ligës së Kampionëve, 28-vjeçari fillimisht pritej të kthehej pas dhjetë ditëve.

Fillimisht “Los Blancos” kishin thënë se lëndimi i Hazardit ishte vetëm “mavijosje e jashtme”. Megjithatë, tani ai pritet të mungojë për katër deri në gjashtë javët e ardhshme.

“Pas testeve që ia kemi bërë lojtarit tonë, Eden Hazard, nga departamenti mjekësor i Real Madridit… ai është diagnostikuar me një thyerje të vogël të jashtme në këmbën e tij të djathtë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga klubi.

Përveç se do ta humbë “El Clasicon” që do të zhvillohet më 18 dhjetor, Hazardi pritet të mungojë edhe në ndeshjet e tjera të La Ligës – kundër Espanyolit, Valencias, Athletic Bilbaos dhe Getafes.

Ai gjithashtu duket se është në dyshim për Superkupën e Spanjës, në të cilën Real Madridi do të përballet me Valencian në gjysmëfinalen e 8 janarit, ndërsa, nëse Real Madridi e arrin finalen, belgu besohet se do të jetë në dispozicion për atë ndeshje.