Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar komune në Vushtrri, Arsim Rexhepi, në raundin e parë të zgjedhjeve kishte marrë vetëm 26% të votave, duke mbetur jashtë balotazhit.
Ai dy ditë pas raundit të parë të zgjedhjeve kishte bërë një deklarim medial, ku kishte paralajmëruar se nuk do të rrijë neutral në raundin e balotazhit në mes të Ferit Idrizit të PDK-së dhe Xhafer Tahirit të LDK-së, raporton Veriu.info.
“Ne nuk kemi vendosur ende për këto çështje, Unë si ish-kandidat kam qartësi të plotë se çfarë do të veprojmë gjatë ditëve që vijnë. Nuk do të mbesim neutralë”, i kishte thënë Arsim Rexhepi portalit Koha.net më 19 tetor 2021. (https://www.koha.net/kosove/293210/vv-ja-ne-vushtrri-sdo-te-rrije-neutrale/)
Pas këtij deklarimi të tij, disa zyrtarë dhe asamblistë të VV-së kanë filluar një fushatë të koordinuar të sulmeve përmes statuseve në rrjete sociale ndaj Xhafer Tahirit të LDK-së.
Pas fitores së mbrëmshme të Ferit Idrizit, sot në kafe me të ka dalë anëtari i Kryesisë së VV-së në Vushtrri Burim Rexhepi, që ështy vëllai i ish kandidatit të LVV-së, Arsim Rexhepi. Po ashtu Burim Rexhepi në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e shtabit zgjedhor të VV-së në Vushtrri, ku në garë kishte vëlluan, Arsimin.
“Falemnderit! Vazhdojm tutje!”, ka shkruar zyrtari i PDK-së, Menduh Abazi, duke lënë të kuptohet se VV e ka mbeshtetur Ferit Idrizin dhe do të vazhdohet me bashkëqeverisje mes këtyre dy subjekteve.

Sot, Albin Kurti tha se Vetëvendosje ka pasur rezultat të dobët në këto zgjedhje, për shkak se gjitha partitë kanë pasur koalicione kundër VV-së. Por ndaj këtij deklarimi ka reaguar ish zëdhënësi i VV-së, Frashër Krasniqi, i cili tha se VVka pasur koalicione me partitë e tjera në 9 komuna, duke përfshirë edhe koalicionin me PDK-në në Vushtrri./Veriu.info








