Konfirmohet arrestimi i Milun Milenkoviq, njëri nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan

Policia e Kosovës ka arrestuar Milun Milenkoviq, i njohur si Llune, e që është njëri nga organizatorët kryesorë të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it gjatë tensionimit të situatës në komunat në veri të vendit.

Lajmin e ka konfirmuar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, bëri të ditur ministri.

Sveçla njoftoi se gjatë arrestimit të tij janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës, me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.

“Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë.

Republika nuk do të zmbrapset”, shkruan ai.