Komunikata që fyente Rugovën dhe u zhduk më pas nga VV: Deklarohet Arbërie Nagavci

Komunikata ku Lëvizja Vetëvendosje, e quante kolaboracionist ish-presidenti Ibrahim Rugova e akuzonte ish-presidentit Hashim Thaçi për pjesëmarrje në varrimin e tij dhe jo vetëm, duket se është larguar nga faqja e kësaj partie.

Nëse tentohet të klikohet në linkun që deri më tani komunikata ka qenë e qasshme, ajo nuk do jetë në dispozicion. Edhe në rast se klikohet edhe pas kërkimit në motorin e kërkimit ‘Google’, “Faqja s’u gjet” është mesazhi që përcjellë platforma.

Se a është larguar komunikata “Gjaku i humbur” nga faqja e Vetëvendosje, Gazeta Insajderi, ka folur me ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, tash kandidatë për deputete nga kjo parti, Arbërie Nagavci.

Ajo i ka thënë Insajderit, se është në teren dhe nuk ka dijeni për këtë gjë.

“Jam në teren nuk jam në dijeni”, ka thënë shkurt Nagavci për Insajderin, duke mos vazhduar tutje.

Ndërkaq, Insajderi, ka provuar të marrë përgjigje në lidhje me komunikatën dhe me atë se a vazhdon VV, të mendojë që ish-presidenti Rugova është tradhtar, edhe nga zyrtarët për media të VV-së, Arlind Manxhuka dhe Përparim Kryeziu, por të dy këta nuk kanë qenë të qasshëm.

Në këtë komunikatë, Lëvizja Vetëvendosje e akuzonte ish-presidentit për prezencën në varrimin e ish-presidentit tjetër, Ibrahim Rugova, për të cilin thoshin se i ka bërë dëm politik vendit.

“Në varrimin e Rugovës nuk ishte familja Jashari, nuk ishte Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk ishin edhe shumë bashkëluftëtarë e atdhetarë të cilët e dinin dëmin politik që Kosovës i bëri Rugova e rugovizmi. Por ti ishe aty dhe nuk të vinte fare turp sepse tani më nuk dalloheshe nga ai. Jo vetëm që flisje si ai, por tani ishe mësuar që edhe të silleshe si ai. Të ka mbetur vetëm edhe gur të fillosh të shpërndash”, thuhej në të.

Ndër të tjera, në komunikatë subjekti politik bënin vija ndarëse mes Thaçit dhe Rugovës, duke iu referuar ish-presidentit nga radhët e LDK-së si kolaboracionist.

“Ti edhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë”, shkruhet tutje në komunikatë.