Komunat e Kosovës raportojnë për koronavirusin: Nuk kemi raste të dyshuara

Gjilani, Peja e Ferizaji nëpërmjet njoftimeve për media kanë thënë se nuk kanë raste të dyshuara të koronavirusit.

Mëngjesin e sotëm, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me nënkryetarin e Komunës, Naim Ferati, drejtorin e Shëndetësisë, Bekim Ademi dhe drejtorin e Arsimit, Afrim Llabjani, vizituan institucionet e kujdesit shëndetësor në Ferizaj si Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Emergjencën Primare dhe Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj.

Nga njoftimet e profesionistëve shëndetësor, konstatohet se të gjitha rastet e paraqitura të dyshimta në Ferizaj janë konfirmuar si negative, pra nuk ka raste të konfirmuara të CoronaVirus-it. Në këtë situatë, është shumë e rëndësishme që të ruhet qetësia mes qytetarëve, të shtohet kujdesi por të mos krijohet panik i panevojshëm.

Drejtuesit e institucioneve shëndetësore në nivelin lokal në takimin që patën me të parin e Ferizajt, Agim Aliu thanë se janë në nivel të detyrës, me pajisjet e materialet që mundësojnë këto rrethana, porse fokusi do të jetë orëve në vijim që të investohet shtesë në materiale e pajisje mbrojtëse.

Për koordinim më të lehtë mes institucioneve shëndetësore, në trajtimin e rasteve eventuale, u krijua Shtabi Emergjent i prirë nga Kryetari i Komunës, drejtori i DShMS-së, drejtori i QKMF-së, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm, drejtori i IKShP-së në Ferizaj si dhe farmacistët nga QKMF dhe Spitali. Poashtu një ekip profesional për përballimin e kësaj situatate nga virusi COVID-19 i njohur edhe si CoronaVirus-i, u formua në përbërje të mjekëve: Dr. Riza Idrizi – udhëheqës i ekipit, Dr. Albert Sherifi, Dr. Hesat Shatrolli, Dr. Xhevdet Haxhidema,Dr. Kadrush Hetemi, Dr. Sefedin Fazliu, Dr. Sevdije Mehmeti, Dr.Linda Viça, Selim Bega, Agron Selmani dhe Zyrafete Shala.

Edhe komuna e Pejës ka dalë me një sqarim pas lajmit të plasuar në disa portale, që në këtë komunë janë disa persona të prekur me coronavirus.

Në njoftimin publik të bërë nga Komuna e Pejës bëhet e ditur se në këtë komunë nuk ka persona të infektuar me (COVID-19).

“Para pak çastesh nga disa portale është shpërndarë një info për persona të infektuar me coronavirus në Pejë. Ju sigurojmë se ky lajm nuk është i vërtet. Rasti të cilit ju kanë referuar portalet ka të bëjë me një iniciativë private për dezinfektimin e një lokali”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se lokacioni është vizituar nga organet përgjegjëse.

“Organet përgjegjëse të angazhuara për të menaxhuar situatën pandemike e kanë vizituar lokacionin dhe e kanë konfirmuar se aty po bëhet një dezinfektim i hapësirës private si masë parandaluese dhe nuk ka të bëjë me coronavirus”, vijon njoftimi.

Ndryshe, deri më tani në Kosovë janë konfirmuar tre raste me coronavirus, dy prej tyre janë nga fshati Stubëll i Vitisë dhe një rast është një shtetase italiane e cila ishte me qëndrim në Klinë.

Edhe komisioni emergjent i Gjilanit për përcjelljen e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirus COVID-19, në mbledhjen e mbajtur para pak minutash, ka konfirmuar se asnjë rast nuk është i dyshimtë në këtë komunë.

Kryesuesi i Komisionit, drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, ka deklaruar se po vazhdojnë t’i ndërmarrin masat sipas vlerësimeve, ku janë të përfshira të gjitha instancat dhe të gjitha institucionet relevante.

“Deri tani, nuk kemi asnjë rast që paraqet shqetësim, as në QKMF dhe Spital Regjional. Jemi në koordinim shumë të mirë me të gjitha institucionet komunale dhe jemi në zbatim të plotë të të gjitha detyrave për parandalim të përpapjes së COVID19”, ka thënë Xhemaili, në konferencën për gazetarë.

Në emër të komisionit, ai ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që t’i furnizojë me pajisje si maska, dorëza e dezinfektues, pasi aktua lisht ka mungesë.

Në këtë takim, u kërkua nga qytetarët që t’i zbatojnë të gjitha këshillat për kujdes të shtuar në higjienë dhe të mos praktikohet zgjatja e dorës.

Po ashtu, u tha se furnizimi me miell është shumë normal dhe nuk ka vend për panik.