Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të shkollave në Prishtinë, nga tetori do t’i marrin pagat me rritje për 130 euro.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se Komuna e Prishtinës ka plotësuar 95 për qind të kërkesave të tyre, ndërsa pagat e punëtorëve nga tetori do të jenë 400 euro bruto.
“Oferta e Komunës së Prishtinës i plotëson kriteret dhe kërkesën tonë, 95 për qind të asaj që e kemi kërkuar është realizuar. Ne kemi kërkuar që marrëveshja të bëhet edhe me tri shkollat e mesme. Kontrata me 250 euro që ka qenë dhe është deri më 30 shtator, me 1 tetor fillon paga e tyre me 400 euro bruto pra paga e tyre do të rritet për 130 euro pra 380 euro neto. Shkollat fillore kanë qenë data 9 shtator e cila skadon por nuk është zgjedh operatori i ri pasi që ata thonë qe ka qenë një operator i papërgjegjshëm”, u shpreh Azemi.
Ai ka thënë se rritje të pagave do të kërkojnë edhe vitin e ardhshëm, me kërkesë që e njëjta të bëhet 470 euro.
“Nga presioni serioz i punëtorëve dhe puna serioze e komunës së Prishtinës me datën 16 shtator do të fillojë edhe paga e tyre të jetë 400 euro ose 380 euro neto, të gjitha shoqatat e kanë përkrah këtë vendim, por bashkëpunimi me komunën e Prishtinës nuk do të përfundojë këtu sepse ne mendojmë në vitin e ri kjo pagë duhet të rritet deri 470 euro. Kemi edhe telashe me mospagesën e stazhit të punës atë do të kërkojmë që nga 6 ditshi i mëhershëm dhe do ti kërkohet secilës kompani dhe vetë komunës nëse nuk janë paguar me rregull dhe do të shkojë në aspekt ligjor”.







