Komuna e Vushtrrisë tregon se në cilat rrugë ka vështirësi për shkak të reshjeve

Komuna e Vushtrrisë njoftoi të shtunën se pas reshjeve të pandërprera të shiut, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim që nga orët e mëngjesit është vënë në gjendje gatishmërie.

Në njoftim bëhet e ditur se përkundër prurjeve të mëdha të ujit në disa lokalitete, gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për shqetësim.

Gjendje më e rënduar thuhet se është në rrugën “Lidhja e Lezhës”, në të cilën për shkak të mungesës së pusteave të ujërave atmosferike në një segment të saj, uji ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve.

“Me angazhimin e komunës edhe ky problem pritet të evitohet shpejt. Ekipet e DMSH-së vazhdojnë të monitorojnë gjendjen në terren, për të cilën qytetarët do të jenë të informuar me kohë”, thuhet në njoftimin për media.