Komuna e Prishtinës po vlerëson se duhet të ndryshohet strategjia e qasjes ndaj pandemisë, derisa rekomandojnë tetë pika për luftimn e këtij infeksioni.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, në një intervistë për KP, thotë se gjurmimi i kontakteve duhet të ndërpritet, derisa kërkon që tash e tutje të bëhen testime serologjike.

Ai shtoi, se vetëm nëpërmjet kësaj forme, do të bëhej e ditur se në cilën masë ka kaluar Covid-19, apo cila është ajo përqindje e imunitetit kolektiv, e që siç thotë ai duhet të krijohet para fillimit të fazës së dytë.

“Në pikën 3 pikat kyçe parashihet që këto hulumtime epidemiologjike, testimi i kontaktit të kontakteve të ndërpriten, vetëm personat që kanë simptoma të testohen. E dyta të lejohen testimet serologjike, testim i cili jep 2 rezultate, jeni të infektuar ose jo nga Covid-19 dhe testi i dytë i cili tregon, se ndoshta ju keni qenë A simptomatik, ndoshta ju veç e keni kaluar covid-19…Nuk mund të aplikohet vetëm në Klinikën Infektive por secilës komunë dhe klinikë private t’i jepet e drejta të bëjë këtë test…Në këtë formë ndoshta e kishim testuar të gjithë popullatën se në cilën mas e kemi tejkaluar ose cila është ajo përqindje e imunitetit kolektiv, e cila duhet të krijohet para fillimit të fazës së dytë”, thotë ai.

Sa i përket rritjes së numrit të personave të infektuar, ai thotë se kjo ka qenë e pritur, për të vetmen arsye, se qytetarët nuk janë duke i respektuar rekomandimet.

Ndërsa, bëri të ditur, se kryeqyteti është i përgatitur edhe për eskalim më të madh të situatës.

“Eskalimi i numrit të të infektuarve është pritur, për arsye të mos respektimit të masave parandaluese nga ana e qytetarëve. Ne jemi të përgatitur edhe për eskalim të situatës edhe më të madhe, kur them eskalim nënkupton që, komuna e Prishtinës është e përgatitur që të strehoj afër 100 persona. 100 shtretër jemi në gjendje me i përgatitë në qendrat e mjekësisë familjare, njëra në kodrën e trimave dhe tjetra në Emshir. Kemi përgatitur edhe 14 shtëpiza në Gërmi, me rreth 150 shtretër”, thotë Nushi.