Komuna e Prishtinës humbi fondin milionësh për sallën koncertale, Zyra e BE-së tregon arsyet

Zëvendësshefi i Zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri, është duke zhvilluar takim me Komisionin për Integrime Evropiane.

Serri dhe deputetët anëtarë të komisionit, kanë folur për zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe fondet e dhuruara nga Bashkimi Evropian për projekte të ndryshme në vendin tonë.

Ndër të tjerash, deputetët kanë përmendur edhe projektin e fundit me vlerë rreth 13 milionë euro, i cili kishte për qëllim ndërtimin e një salle koncertale në Prishtinë, fond ky që u humb nga Komuna e Prishtinës.

“Komuna e Prishtinës ka pasur kohë 3 vjet për të gjetur vendin ku do të duhej të ndërtohej salla e koncerteve, por pasi që kjo nuk ka ndodhur atëherë fondet janë tërhequr”, ka deklaruar Serri, përcjell Ballkani.info.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se për këtë çështje ka pasur një debat të madh mes Ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxhës dhe zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, pasi që ministrja Hoxha kishte kërkuar ridestinimin e fondit të BE-së.

I pyetur nga deputetja Deliu nëse këto fonde do të ri-investohen në sallën e koncerteve vitin tjetër, Serri ka thënë se BE-ja është e hapur për investime të tilla.

“Aktualisht këto fonde janë ridestinuar për një projekt tjetër i cili gjithashtu është i rëndësishëm sipas pikëpamjes tonë, por vitin tjetër ka mundësi që investimi për sallën e koncerteve të ndodhë, normalisht nëse Komuna e Prishtinës tregon interesim në gjetjen e lokacionit”, ka thënë Serri, transmeton Ballkani.info.

Kujtojmë se çështja e fondit 13 milionësh kishte ngjallur përplasje mes Komunës së Prishtiëns dhe Ministrisë së Integrimeve Evropiane, pasi që Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti e kishte fajësuar ministren Hoxha se kishte kërkuar ridestinimin e mjeteve.

Ministrja Hoxha në fillim nuk e kishte pranuar se ka kërkuar ridestinimin e fondit për sallën e koncerteve, deri sa ishin publikuar edhe dokumente të kërkesës. /Ballkani.info

loading…