Komuna e Prishtinës humb betejën ligjore për pronësinë e Shtëpisë së Gurit në Brezovicë

Mban emrin “Sport Marketing”, por përtej kësaj kjo ndërmarrje publike komunale në Prishtinë nuk kryen asnjë shërbim nga fusha e sportit e as nga ajo e marketingut.

Komuna e Prishtinës ka humbur betejën gjyqësore me Komunën e Shtërpcës për pronësinë e kësaj shtëpie në Brezovicë. Fillimisht, Gjykata Themelore e Ferizajt kishte marrë vendim në favor të komunës së Shtërpcës, kur kjo e fundit ishte paditur nga Shoqata e Skitarëve Malorë “Prishtina”.

Ndërsa, vitin e kaluar, po kjo gjykatë ka vendosur sërish kundër Komunës së Prishtinës. Në arsyetimin e aktvendimit të datës 5 mars 2019, thuhet se nuk mund të udhëhiqet një procedurë e re për çështje të njëjtë juridike.

Gjykata e Apelit ka konfirmuar se kjo lëndë nuk gjendet te ta, pasi nuk ka pasur ankesë ndaj aktvendimit të Themelores.

Derisa “Sport Marketingu” ka mbetur me vetëm një aset në menaxhim, mirëmbajtjen e infrastrukturës sportive komuna ia ka dhënë Ndërmarrjes Publike Banesore edhe pse ka qëndrueshmëri financiare, ndërsa sektori i marketingut menaxhohet nga privatët.

Ndërsa, për të paguar borxhet ndaj operatorëve dhe pagat e punëtorëve aktualë, pothuajse çdo vit, komuna është dashur t’i ndajë ndërmarrjes mjete financiare.

Rreth 30 mijë euro i janë ndarë në fund të 2019-ës, ku opozita kërkoi që kjo dukuri të ndalet e ndërmarrjes t’i ipen më shumë përgjegjësi sikurse që janë reklamat në qytet.

Mirlinda Sopi – Krasniqi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeshefes së kësaj ndërmarrjeje, pasi është zgjedhur deputete e Parlamentit në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Por, ajo vazhdon t’i kërkojë komunës që “Sport Marketingut” t’i shtohen asetet, nëse dëshiron të shmangë falimentimin e ndërmarrjes.

Ish-kryeshefja thotë se kanë arritur t’i shlyejnë borxhet ndaj operatorëve ekonomik, por mbi 30 mijë euro është shuma të cilën ndërmarrja ende u ka borxh për paga anëtarëve të dy ish-bordeve, për vitet 2012-2017.

Konkursi për Kryeshef të ri të ndërmarrjes është hapur më 3 janar dhe deri në zgjedhjen e tij, ushtrues i detyrës së kryeshefit do të jetë zyrtari i administratës, Bedri Berisha.

Televizioni ka provuar gjatë javës që të kuptojë nga komuna se çfarë ka në plan të bëjë me këtë ndërmarrje, por nënkryetari, Selim Pacolli, pavarësisht premtimit se do të deklarohej, nuk e ka bërë një gjë të tillë.