Komuna e Podujevës është në dijeni për rritjen e çmimit nga taksitë ilegalë, thotë se po ndërmerr masa

Një qytetar i Podujevës nuk po mundet që të shkojë më me taksi në Prishtinë, pasi që taksitë ilegale në këtë komunë, nga fillimi i kësaj jave e kanë rritur çmimin 100%, në 2 euro nga 1 sa ishte më parë.

“Veç me punu për me udhëtu, nuk e din njeri çka bon, niherë u kanë mirë boll me 1 euro shkojshe qysh është mas miri, po tash e kanë ba ka dy euro”, tha ai për Ballkani.info.

J.H. i cili udhëton çdo ditë nga Podujeva në Prishtinë ka treguar se për shkak të punimeve në rrugë e ka të pamundur të durojë “torturën” nëpër autobusë, pasi që sipas tij vonohen më shumë se një orë.

“S’po ki hesap me udhëtu me autobusa, se shumë zheg, edhe rruga që sa është ka ndreçet, po qe 3-4 vjet njejtë është, klima herë bon e herë nuk bon nëpër autobusa, e me taksi pak ma ndryshe për gjysmë ore mrrinë me ardhë në Prishtinë”, është shprehur ai.

Në rrethana të tjera kjo marrëveshje mes taksive do të ishte kundër konkurrencës së lirë të tregut, por në këtë rast këtyre taksive do të duhej tu ndalohej veprimtaria, pasiqë tash e 20 vjet operojnë ilegalisht.

Ballkani.info ka mësuar se ende po vazhdojnë të lëvizin lirshëm taksitë ilegal, me çmim të dyfishuar.
Inspektorati i Komunës së Podujevës për Ballkani.info ka treguar se janë të informuar për punën ilegale që bëjnë taksitë, dhe se këtë gjë e bëjnë që 20 vjet, dhe po bëjnë vazhdimisht përpjekje për ta parandaluar këtë.

“Nga janari deri më sot i kemi shqiptuar 95 aktvendime te Gjykata ndaj këtyre taksive ilegale dhe deri më tani janë konfiskuar 110 vetura”, ka thënë Durim Salihu nga Inspektorati i Komunës së Podujevës.

Ai ka theksuar se kompanitë me autobusë në Podujevë brenda javës janë duke i humbur më shumë se 100 linja, duke u krijuar një komoditet operatorëve ilegale të veprojnë. Salihu e ka pranuar se taksistët ilegalë e kanë rritur çmimin, duke shtuar se për këtë Komuna është në aksion me Policinë.

MIT nuk i ka kontrolluar kompanitë e autobusëve

Edhe pse ka kohë që nga Inspektorati i Komunës së Podujevës u është bërë thirrje që të kontrollohen kompanitë e autobusëve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transporiti, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

“I kemi njoftuar edhe Minstrinë e Infrastruktures dhe Trasnportit qe ti jep edhe një kontroll kompanive të autobuseve operatoreve ekonomik që të merr masa ndaj tyre, nëse ata janë kompetent dhe njëkohësisht të jënë asistent të inspektorët edhe me policinë e Prishtinës në monitorimin e lëvizjes së tyre përgjatë magjistrales Podujevë Prishtinënë”, ka thënë Salihu.

Ndërsa Policia e Kosovës për Ballkani.info ka sqaruar se të gjitha veprimet, përfshirë edhe ato në komunikacionin rrugor i ndërmerr konfrom autorizimeve ligjore.

“Në të gjitha rajonet e Kosovës, në të gjitha rastet kur has persona që bien ndesh me ligjin, që kryejnë kundërvajtje në trafik, apo edhe që operojnë në mënyrë ilegale, përfshinë taksitë ilegalë ndërmerr veprimet e saja sipas dispozitave ligjore”, njofton Policia.

Policia e Kosovës ka thënë tutje se ata në këtë drejtim kanë bashkëpunim të mirë edhe me institucionet tjera qe janë kompetente rreth inspektimit/operimit te taksive, te cilëve ju asiston varësisht prej nevojave dhe kërkesave te parashtruara. /Valona Hasani-Ballkani.info/

loading…