LAJMI I FUNDIT

Komuna e Mitrovicës Veriore me njoftim të ri: Biznesmenët t’i lirojnë trotuaret, rrugët, në të kundërtën do të pasojnë “masat ligjore”

Drejtoria për Çështje të Inspektimit të Komunës së Mitrovicës Veriore ka lëshuar një njoftim me të cilin kërkon nga bizneset që të lirojnë trotuaret, përkatësisht të largojnë kioskat private dhe objektet tjera nga hapësirat publike.

“Për krijimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve në hapësirat publike njoftohen subjektet afariste, shitësit ambulatorë dhe personat fizikë që nga data 11 mars 2024 të pastrojnë trotuaret, duke hequr nga rrugët: kioskat private, tavolinat, mallrat si dhe gjëra të tjera të vendosura nëpër trotuare me qëllim të ekspozimit të mallrave nëpër rrugët dhe shëtitoret e qytetit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, shkruan Ballkani.info.

E në rast mosrespektimi të njoftimit të administratës për punët e inspektimit, siç thuhet nga Komuna, inspektorët janë të detyruar të “marrin masa ligjore deri në eliminimin e parregullsive”.

Në vendim nuk është specifikuar se për çfarë masash ligjore bëhet fjalë.

Kjo nuk është hera e parë që komuna e Mitrovicës Veriore “informon” biznesmenët se duhet të lirojnë hapësirat publike. Vendimi i mëparshëm i tillë ishte marrë në gusht.

“Për pastrimin e hapësirave publike dhe krijimin e kushteve për lëvizjen e sigurt të qytetarëve në rrugët e qytetit, biznesmenët janë të detyruar të pastrojnë sipërfaqet publike brenda pesë ditëve”, thuhet në këtë vendim.

Mirëpo, pas afatit, pjesë të trotuareve në rrugë të caktuara të qytetit kanë mbetur të mbuluara me mall.

Në anën tjetër, në fillim të muajit shkurt, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut miratoi Projektrregulloren, e cila rregullon shfrytëzimin e përkohshëm të hapësirave publike dhe hapësirave publike në qytet me kompensim monetar, së bashku me përcaktimin e zonave të qytetit. /Ballkani.info/