Komuna e Lipjanit vendos të mos dekorojë qytetin, pas një sondazhi me qytetarë

Komuna e Lipjanit ka vendosur që sivjet mos të dekorojë qytetin për festat e fundvitit si pasojë e situatës së pandemisë.

Gjatë ditëve të fundit kjo komunë ka realizuar një sondazh në faqen e komunës për t’i pyetur qytetarët se a duhet të dekorohet qyteti, andaj kjo ka rezultuar që 57. 9 e qytetarëve e kanë kundërshtuar dekorimin në kohë të pandemisë, ndërkaq 42.1 kanë kërkuar që qyteti të dekorohet.

Mirëpo, në anën tjetër kuvendarët nga opozita kanë kërkuar që sheshi të dekorohet me arsyetim se qytetarët kanë nevojë për shpresë dhe atmosferë festive.

“Pas një sondazhi që ka zhvilluar Komuna e Lipjanit me pyetjen se a duhet të dekorohet qyteti në Lipjan për nder të festave të fund vitit, shumica e qytetarëve janë përgjigjur për (JO) që mos të dekorohet qyteti, pasi që aktualisht jemi në kushte të pandemisë Covid-19. Në këtë rast Komuna e Lipjanit merr për bazë vullnetin e qytetarëve dhe vendos që mos dekorohet qyteti për nderë të festave të fund vitit”, thuhet në njoftimin e komunës.

Në anën tjetër, Lumturije Bytyqi, kuvendare nga radhët e PDK-së ka thënë se sheshi “Adem Jashari” në Lipjan do të duhej të dekorohej me arsyetim se si asnjëherë më parë qytetarët kanë nevojë për shpresë dhe për atmosferë festive.

“Ky vit ishte i zymtë, nuk duhet të përmbyllet me festë të zymtë! Por meqë Komuna e Lipjanit paska vendosur që të mos dekorojë qytetin, atëherë mjetet e planifikuara për këtë qëllim, le të ndahen për familjet me gjendje të rëndë ekonomike që edhe ata të kenë festë së paku brenda mureve të shtëpisë”, ka thënë Bytyqi.