Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka njoftuar se sot në mëngjes iu është dashur të bëjnë një ndërhyrje urgjente te objekti i Shkollës së Parë Shqipe për shkak të rrezikut të mundshëm për sigurinë e qytetarëve.
“Sot në mëngjes Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit pati një ndërhyrje urgjente në objektin e Shkollës së Parë Shqipe për të eliminuar rreziqet e mundshme për sigurinë e qytetareve. Objektet e braktisura në qytetin tonë paraqesin një rrezik serioz për sigurinë e banorëve. Mungesa e mirëmbajtjes dhe kujdesit në këto ndërtesa rrit mundësinë e aksidenteve, ndërhyrjeve të paautorizuara, dhe mund të bëhen strehë për aktivitete të paligjshme”, ka shkruar ai.
Ai tha se kanë një kërkesë nga Ministria e Kulturës për raste të tilla.
“Kërkojmë ndërhyrje urgjente nga Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit në objektet e trashëgimisë kulturore që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Kryeqytet. Ruajtja e trashëgimisë kulturore është një përgjegjësi e përbashkët. Secili nga ne mund të japë një kontribut të vlefshëm në mbrojtjen e këtyre pasurive të çmuara që e pasurojnë identitetin tonë dhe historinë tonë të përbashkët”.
Ai tha se ndërtesat e braktisura janë një problem në rritje në Kryeqytet dhe përbëjnë një rrezik të madh për sigurinë dhe shëndetin publik.







