Komshiq pas dënimit të Mladiqit: Republika Srpska e ngritur mbi gjenocid, kurrë s’do të pavarësohet

Anëtari kroat i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, duke komentuar konfirmimin e dënimit të përjetshëm për liderin e forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mladiq, ka thënë se Republika Srpska kurrë nuk do të mund të ndahet, pasi është ngritur mbi gjenocid ndaj myslimanëve.

Mladiq u dënua sot nga Tribunali i Hagës edhe në shkallën e dytë me dënim maksimal, përfshirë edhe për akuzën për gjenocid në Srebrenicë, më 1995.

Mladiq u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës, njëjtë si në shkalën e parë.

“Vendimi i sotëm kundër Ratko Mlladiqit, që përcaktoi ekzistencën e disa ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale, përkatësisht udhëheqjes politike, tash edhe të udhëheqjes ushtarake të Republika Srpska, tregon qartë se kishte një qëllim për të kryer një seri krimesh të tmerrshme në Bosnjë, bazuar në dallimet etnike”, ka thënë Komshiq.

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjës, Milorad Dodik, është insistuesi më u madh për shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnja.

Pas këtij, dënimi të Mladiqit, Komshiq ka thënë se kjo bëhet e pamundur, pasi bëhet fjalë sipas tij, për një republikë të ngritur mbi gjenocid.

“Republika Srpska kurrë nuk do të bëhet e pavarur, askush nuk do të njoh një vend të ngritur mbi gjenocid”, ka thënë Komshiq, përcjell gazeta “Oslobodjenje”.

Cvijanoviq: Vendimi për Mladiqin konfirmon se Gjykata e Hagës është anti-serbe

Presidentja e Republika Srpskas, Zheljka Cvijanoviq, ka thënë se Gjykata e Hagës me vendimin e shkallës së dytë kundër kriminelit të luftës Ratko Mladiq, ka konfirmuar edhe një herë rolin anti-Serbi.

Ajo ka thënë se Gjykata ka përcaktuar “përgjegjësinë për krime të luftës jo sipas provave, por sipas kombësisë të të akuzuarit”.

“Po të ishte e kundërta, vendimi i sotëm nuk do të ndiqej nga disa të akuzuar më famëkeq të Hagës, të tillë si Naser Oriq, Ramush Haradinaj, Ante Gotovina, si dhe shumë tjerë nga fusha e përgjegjësisë së të cilëve u zhdukën shumë serbë përgjithmonë”, ka thënë Cvijanoviq për “RTRS”.

Ajo ka thënë se Tribunali i Hagës do të mbahet në mend si sinonim i padrejtësisë dhe si një gjykatë politike.

“Sa i përket gjeneralit Mladiq, ai në kohët më të vështira, u bë kreu i ushtrisë që mbrojti Republika Srpskan, si dhe të drejtën e popullit serb për jetë dhe liri”, ka shtuar ajo.