Ministria e Mbrojtjes së Kosovës nuk ka bërë kompensim të plotë për punën jashtë orarit të pjesëtarëve të FSK-së gjatë vitit 2024.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se në fund të vitit 2024 pjesëtarët e FSK-së u kompensuan me pagesë për periudhën janar-maj 2024.

“Megjithatë, pjesën më të madhe të vitit Ministria në mungesë të buxhetit e ka aplikuar kompensimin me ditë pushimi (jo plotësisht është kompensuar edhe pushimi), për aq sa zhvillimi i aktiviteteve të Ministrisë të mos ndikohet apo pengohet.” – thotë ZKA në Raportin e saj të auditimit të vitit 2024, për Ministrinë e Mbrojtjes.

Për shkak të sfidave në kompensimin për punën jashtë orarit Ministria ka filluar plotësim-ndryshimin e një Rregulloreje për orarin e punës në FSK, por që nuk e ka finalizuar ende.

“Rregullorja (MM) Nr. 10/2019 për Orarin e Punës në Forcën e Sigurisë së Kosovës përcakton se orari i plotë i punës zgjat 40 orë në javë, ose 8 orë në ditë dhe pjesëtarët e FSK-së janë të obliguar t’i përmbahen këtij orari. Orari i punës për pjesëtarët e FSK-së është prej orës 08:00 deri në orën 16:00, prej të hënës deri të premten.” – thotë ZKA.

Shkak për moskompensimin e punës jashtë orarit ZKA në Raport thotë se ishte mungesa e buxhetit të mjaftueshëm dhe rregullimi i paqartë i punës jashtë orarit. Arsye tjetër ishte edhe volumi i punëve dhe mungesa e personelit.

“Kompensimi jo i plotë, qoftë financiar apo me ditë pushimi, përveç që ndikon në motivim të pjesëtarëve gjithashtu paraqet rrezik që Ministria të ballafaqohet edhe më tutje me padi gjyqësore që do të kenë ndikim financiar – duke shkaktuar edhe shpenzime të tjera gjyqësore/përmbarimore.” – thotë tutje ZKA.

Ky institucion rekomandon Ministrinë e Mbrojtjes që të përshpejtojë procesin e rishikimit të Rregullores për orarin e punës, duke e përshtatur me aktivitetin e saj dhe të sigurojë rregullim të qartë në lidhje me kompensimin e punës jashtë orarit – qoftë me pagesë, apo me ditë pushimi.

Ministria e Mbrojtjes është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së.

Kjo Ministri ka pranuar Opinion të pamodifikuar për Pasqyrat financiare vjetore. Ky Opinion i dhënë nga ZKA është Opinioni më i mirë që i jepet një institucioni dhe do të thotë që Pasqyrat financiare janë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Raporti i vitit 2024, që është publikuar në qershor 2025, përmban 7 Rekomandime për Ministrinë e Mbrojtjes. Prej tyre: 4 janë Rekomandime të reja, 1 është Rekomandim i përsëritur dhe 2 Rekomandime janë pjesërisht të përsëritura.

ZKA për Ministrinë e Mbrojtjes për Raportin e auditimit të vitit paraprak, pra të vitit 2023, kishte dhënë 5 Rekomandime. Sipas Raportit të ZKA-së 2 Rekomandime janë zbatuar, 1 është përsëritur dhe 2 të tjera janë zbatuar pjesërisht.

Një nga Rekomandimet që është përsëritur është edhe ky për punën jashtë orarit nga pjesëtarët e FSK-së.

“Ministria në mungesë të buxhetit e aplikon kompensimin me ditë pushimi. Gjatë analizimit të punës jashtë orarit të pjesëtarëve të FSK-së që e ushtrojnë këtë aktivitet kemi vërejtur se kompenzimi me ditë pushimi në rastet kur mbahen kujdestari nuk është i rregulluar me ndonjë procedurë të shkruar mbi të drejtat që pjesëtarëve iu takojnë për pushim, kur ata kujdestarojnë natën apo vikendeve. Nuk ka një procedurë të shkruar që specifikon se si kalkulohet puna jashtë orarit për t’u kompensuar me ditë pushimi. Bazuar në të dhënat e analizuara shihet se FSK e aplikon dhënien e nga një dite pushimi edhe në rastet kur ata kujdestarojnë me nga 24 orë, me arsyetimin e mungesës së stafit.” – thuhet në gjetjen e ZKA-së në Raportin e vitit 2023. /Kallxo/

Edhe atëherë Ministria e Mbrojtjes ishte pajtuar me këtë gjetje.

Raportin e plotë të ZKA-së për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2024 mund ta gjeni këtu.