Gjykata Kushtetuese

Kompensimi i qytetarëve për rrymën në veri, ZRRE deklarohet për Aktgjykimin e Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dje të drejtë Gjykatës Supreme lidhur me Aktgjykimin përmes së cilit iu dha të drejtë qytetarëve për të kërkuar kompensim për faturimin që u është bërë për disa vite për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore.

Nga Zyra e Rregullatorit për Energji kanë folur për Express se si do të veprohet tutje.

Qytetarët që me vite të tëra janë faturuar për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore, do të mund të kërkojnë kompensim. Aktgjykimi i Supremes që u jep të drejtë për këtë, është vërtetuar dje edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka publikuar Aktgjykimin lidhur me kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

“Gjykata, njëzëri, konstatoi që: (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) Aktgjykimi [Arj.nr.116/2022] i 9 marsit 2023 i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces te rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Këtë Aktgjykim tashmë e kanë pranuar edhe nga Zyra e Rregullatorit për Energji, të cilin po e analizojnë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, nga ZRRE kanë deklaruar se “pavarësisht se ky aktgjykim është mjaft kompeks”, ky institucion do t’i kryej detyrat e saj konform mandatit ligjor dhe për të gjitha veprimet që do të ndërmerren,

“Zyra e Rregullatorit për Energji ka pranuar aktgjykimin nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në rastin KI103/23.  ZRRE është duke e analizuar këtë aktgjykim dhe do të shqyrtoj të gjitha opsionet e mundshme ligjore që i ka në dispozicion në lidhje me këtë rast. Pavarësisht që ky aktgjykim është mjaft kompleks, ZRRE-ja do ti kryej detyrat e saj konform mandatit ligjor dhe për të gjitha veprimet që do të ndërmerren, opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në përgjigje.

ZRRE’ja kishte kërkuar nga Kushtetuesja sqarime se si duhet të veprohet në këtë rast, meqë në Aktgjykim vetëm kërkohet nga ZRRE që të ndërmerr veprime për ta obliguar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes që të bëj kthimin e shumës së faturuar, por nuk specifikohet forma e mënyra.

Sipas Aktgjykimit të Supreme, qytetarët kanë të drejtë për kthimin e këtyre mjeteve. Pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në këto komuna me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, Supremja i kishte konsideruar si të paqëndrueshme.

“Prandaj, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 par. 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut. Andaj bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lindë e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, kishte njoftuar Supremja.

Ndryshe, rrymën që kanë shpenzuar qytetarët në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, e kanë paguar qytetarët e pjesëve të tjera të vendit, për 18 vjet me radhë.

Për t’i shlyer këto borxhe, qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës, kanë paguar fatura për 3.5 përqind më të shtrenjta.

Nga viti 2017 e këndej, për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka kaluar përgjegjësinë e pagesës te institucionet e vendit. Po atë vit, Gjykata e Apelit ka kërkuar që konsumatorët që kanë paguar rrymën e shpenzuar në veri për 18 vjet, të kompensohen.

Në një postim të bërë në shkurt të vitit të kaluar, Kryeministri Albin Kurti, kishte thënë se se që nga viti 1999, për shkak të veprimeve të Serbisë, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro nga faturat e rrymës dhe ujit që serbët në veri nuk kanë paguar.

“Që nga viti 1999, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro për shkak të veprimeve të Serbisë, sikurse janë mbajtja e tarifave të transmisionit dhe detyrimi i tregtarëve që të paguajnë TVSH-në te Serbia për tregtinë tonë të energjisë elektrike. Edhe tani, refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi, i kushton Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj”, kishte shkruar Kurti.